“Derisa Brukseli është i shqetësuar për situatën e tensionuar në muajt e fundit, disa diplomatë me të cilët kam biseduar e marrin këtë si indikacion që edhe Beogradi edhe Prishtina po i afrohen një marrëveshje politike, mbase në muajt e ardhshëm”, shkruan redaktori i Radios Evropa e Lirë në Pragë, Rikard Jozwiak në një shkrim autorial.
Jozwiak shkruan se plani franko-gjerman u është prezantuar të gjitha shteteve anëtare të BE’së para festave të fundvitit nga Përfaqësuesi i Lartë i BE’së për Politike të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Ai ndan edhe një pjesë të shkruar të planit franko-gjerman ku thotë se nuk ka njohje të ndërsjellë, por , siç thuhet “marrëveshje bazike e tashme përbën një hap të rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve”.
“Të dyja palët duhet të vazhdojnë me një impetus të ri në Dialogun e udhëhequr nga BE, e cila duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizim gjithpërfshirës të marrëdhënieve”.
“Mbase pjesa më kyçe e këtij propozimi është se ‘të dyja palët do të njohin dokumentet dhe simbolet e tyre kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat, dhe vulat doganore’. Kjo është një karrotë e vërtetë për Kosovën”, shkruan ai.
Një pjesë tjetër e propozimit që ka të ngjarë të kënaqë Prishtinën është se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare — një mollë e vërtetë grindjeje që kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Ekziston gjithashtu një thirrje për të shkëmbyer misione të përhershme, për të mbështetur aspiratat e njëri-tjetrit për t’u bashkuar me BE-në dhe se të dyja palët mund të “vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj”.
Ka edhe ëmbëlsira për Serbinë. Prishtina duhet të zyrtarizojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe “të sigurojë mbrojtje të fortë për trashëgiminë fetare dhe kulturore serbe dhe objektet fetare”, shkruan gazetari çek.
Në mënyrë thelbësore, propozimi përmend gjithashtu nevojën për të “siguruar [një] nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, duke përfshirë mundësinë për mbështetje financiare nga Serbia.”
Për një kohë të gjatë, Serbia është turbulluar me ngecjen e Kosovës në krijimin e një komuniteti të komunave serbe në veri të vendit, një kërkesë qendrore e marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 ndërmjet dy vendeve.
Ende i pazbatuar, projektpropozimi franko-gjerman kërkon që të dyja palët të përmbushin kërkesat e parashtruara rreth një dekadë më parë