Rrustemi thotë se Kosova është e interesuar për një dialog të mirëfilltë politik me njohje reciproke në qendër

Aktuale

Rrustemi thotë se Kosova është e interesuar për një dialog të mirëfilltë politik me njohje reciproke në qendër

Më: 10 janar 2023 Në ora: 09:34
Adnan Rrustemi

Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi ka thënë se Kosova është e interesuar që të ketë një dialog të mirëfilltë politik me Serbinë me njohje reciproke në qendër.

Rrustemi tha se Kosova po ashtu është interesuar që përmes dialogut të ketë normalizim të plotë të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

“Kosova është e interesuar për dialog të mirëfilltë politik edhe është e gatshme, e përkushtuar dhe konstruktive pa asnjë dyshim, po ama për dialog të mirëfillt politk, dmth për një dialog për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me marrëveshjen finale që njohjen reciproke e ka në qendër”, deklaroi Rrustemi.

Tutje ai u shpreh i bindur se vetëm një marrëveshje që ka njohjen reciproke të qendër normalizon raportet siç tha ai ‘abnormale’ me Serbinë.

“Jemi të bindur që vetëm një marrëveshje e tillë me njohje reciproke normalizon raportet tona abnormale me Serbinë”, tha Rrustemi në Tëvë1.

Deputeti i VV-së, theksoi se Serbia është destruktive, ashtu siç ka qenë gjithmonë, teksa shtoi se kohëve të fundit ka një agresivitet të shtuar sepse sipas tij, po tenton të shmang dialogun për t’a pamundësuar marrëveshjen finale me njohje reciproke.

“Në anën tjetër Serbia është destruktive, siç ka qenë gjithmonë por me një agresivitet të shtuar kohëve të fundit, sepse po tenton të shmang këtë dialog politik për t’a pamundësuar marrëveshjen finale me njohje reciproke”, tha ai.

Madje Rrustemi përmendi edhe çështjen e barrikadave, i cili tha se “ashtu siç i vendosen edhe i hoqën”.

“Të gjitha këto veprime pa pretekste të Serbisë janë incinuata për të krijuar rrethana të tilla që largojnë vëmendjen dhe pamundësojnë këtë dialog edhe barrikadat ishin shprehje e motiveve të tilla të Serbisë që u dëshmuan pastaj ashtu siç i vendosën edhe i hoqën”, tha Rrustemi.

“Është me rëndësi që dialogu të intensifikohet dhe ka një dakordim në Bruksel që ky dialog të kufizohet edhe në kohë edhe në kornizë, deri në marsin e këtij viti”, shtoi ai.

I pyetur se a mund të kemi një marrëveshje deri në marsin e këtij viti, Rrustemi ka thënë se është e mundshme por sipas tij, problemi është që marrëveshja kërkon dy palët.

Rrustemi deklaroi se ata nuk mund të flasin për konstruktivitetin e Serbisë.

“Unë mendoj që është e mundshme por problemi është që marrëveshja kërkon dy palë, ne flasim për qëndrimin, përkushtimin edhe konstruktivitetin e Kosovës, por ne nuk mund të flasim për konstruktivitetin e palës tjetër”, përfundoi Rrustemi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat