LDK: Qeveria të sqarojë pse nuk ka pasaporta

Aktuale

LDK: Qeveria të sqarojë pse nuk ka pasaporta

Më: 10 janar 2023 Në ora: 12:28
Visar Azemi

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar Qeverinë për shkak të mungesës së materialit për pasaporta. Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Visar Azemi thotë se mungesa e pasaportave ka sjellë pasoja të mëdha për vendin dhe qytetarët.

Në një konferencë për media, ai tha se kjo mungesë e materialit i ka dëmtuar edhe mërgimtarët, pasi sipas tij, atyre po iu rrezikohet puna e qëndrimit në vendet ku jetojnë.

Me këtë rast, LDK-ja i bëri ftesë Qeverisë për transparencë se “pse nuk ka pasaporta”.

“Prandaj e shohim si të drejtë të kërkojmë dhe të thirrim Qeverinë e Kosovës në transparencë dhe sqarim që të shpjegojnë qytetarëve të Kosovës se pse po ndodh një gjë e tillë, pse nuk kemi pasaporta, pse kemi vonesa, pse kemi vonesa në nënshkrim të kontratave e kështu me radhë. Dhe presim që këto përgjigje t’i marrim nga ta, për shkak se deri më tani nuk kemi parë asgjë konkrete dhe kemi parë një mungesë të madhe të transparencës”, deklaroi ai.

Tutje, ai theksoi se Qeveria gjithashtu nuk ka arritur që për gjashtë muaj ta emërojë një drejtor të Policisë, e po ashtu, sipas LDK-së, ka edhe mungesë të realizimit të projekteve kapitale.

Azemi e quajti Qeverinë të paaftë “për të qeverisur në të mirën e qytetarëve të Kosovës”. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat