Mbledhja e sotme e Qeverisë, këto janë të gjitha vendimet që u morën

Aktuale

Mbledhja e sotme e Qeverisë, këto janë të gjitha vendimet që u morën

Më: 11 janar 2023 Në ora: 17:50
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje, ku ka miratuar disa vendime.

Më poshtë gjeni të gjitha vendimet:

– Projektligjin për Investime të Qëndrueshme i cili synon të vendosë një kornizë ligjore mbi parimet dhe mjetet për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve. Projektligji parasheh parimet themelore të zhvillimit të qëndrueshëm, të drejtat dhe detyrimet e investitorëve, përcaktimin e prioriteteve dhe lehtësirave shtetërore, shpalljen dhe zbatimin e projekteve të investimit strategjik, verifikimi plotësues i investimeve të huaja për qëllime të rendit publik dhe sigurisë, kompetencat e organeve përgjegjëse për investimet, si dhe procedurat e kujdesit ndaj investitorëve.

– Projektligjin për Parqet Industriale dhe Teknologjike i cili ka për qëllim të rregullojë themelimin, administrimin, menaxhimin, promovimin, shfrytëzimin dhe monitorimin e parqeve industriale dhe të inkubatorëve të biznesit në Republikën e Kosovës. Përmes krijimit dhe zhvillimit të parqeve industriale dhe teknologjike do të mundësohen investimet e reja, aktivitetet industriale dhe prodhimi për eksport, të lehtësohen hyrjet e mallrave dhe kapitaleve, të aplikohet teknologjia e përparuar, të krijohen vende të reja pune dhe të përfitohet nga mundësitë e investimeve dhe financimeve të huaja dhe shkëmbimeve tregtare.

– Vendimin për Masat Emergjente në Furnizimin me Energji është miratuar për shkak të krizës energjetike botërore. Rritja rapide e çmimit të importit të energjisë dhe paralajmërimi i ndalimit të eksportit të lëndëve fosile nga disa shtete evropiane do të ndikojë në rritjen e mëtejshme të çmimit të importit. Duke marrë parasysh riparimet e planifikuara në termocentralet tona, bënë që disa prej kapaciteteve gjeneruese të jenë jashtë funksionit, andaj Qeveria e sheh të domosdoshme aprovimin e Masave të Emergjencës në Furnizim me Energji. Masat do të jenë në fuqi për 60 ditë nga data e hyrjes në fuqi, me mundësinë që Kuvendi i Republikës së Kosovës të zgjas afatin e tyre në periudha prej 30 ditësh, maksimalisht deri në 180 ditë shtesë.

– Strategjinë e Transportit Multimodal për vitet 2023-2030 e cila ka për qëllim mobilitetin e shtuar, uljen e kostos së transportit dhe uljen e emetimeve të gazrave në vendin tonë. Strategjia është një plan për të ndërtuar një Kosovë më të mirë, më të zgjuar dhe më të gjelbër. Sistemi i transportit aktualisht në vendin tonë konsiderohet si jo i qëndrueshëm në krahasim me vendet e Bashkimit Evropian. Strategjia trajton problemet e krijimit të politikave të qëndrueshme, ngritja e kapaciteteve përmes reformave në menaxhim, ngritja e sigurisë së transportit, mjedis më të pastër duke shfrytëzuar automjete me emetim zero të gazrave dhe me digjitalizimin në fushën e transportit.

– Koncept-dokumentin për Fushën e Automjeteve i cili synon që të identifikojë mungesat dhe zbrazëtirat në Ligjin ekzistues për automjetet si dhe harmonizimin e tij të plotë me acquis të Bashkimit Evropian. Koncept dokumenti rekomandon hartimin e Ligjit të ri për automjete i cili do të përcaktojë kornizën e nevojshme ligjore për një rregullim  të aspekteve të homologimit, kontrollit teknik të automjeteve, auto riparimet dhe veprimtaritë që lidhen me to, importimin e automjeteve, inspektimet, certifikimin, automjetet elektrike dhe hibride, etj. Gjithashtu rekomandohet ulja e ngarkesave administrative te institucionet dhe subjektet e përfshira në këtë fushë.

– Vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për promovimin e Librit “Reçaku” në shumë prej 70,000 (shtatëdhjetë mijë euro). Mjetet ndahen nga buxheti i Zyrës së Kryeministrit, nën programi për Promovim të Vendit dhe barten në xhirollogarinë e Fondacionit Ëalker.

– Vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Fondacionin Amerikano-Kosovar për Edukim në shumë prej 100,000 (njëqind mijë euro). Mjetet ndahen nga buxheti i Zyrës së Kryeministrit, nën programi për Promovim të Vendit dhe barten në xhirollogarinë e The Kosovo American Education Fund.

– Vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për mbajtjen e Forumit të Investimeve në shumë prej 58,341.09 franga zvicerane. Mjetet ndahen nga buxheti i Zyrës së Kryeministrit, nën programi për Promovim të Vendit dhe barten në xhirollogarinë e Secure Link Services AG (SELISE).

– Vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Promovimin e vendit në shumë prej 250,000 euro për mbajtjen e Eventit “Muri i Nderit”, me qëllim të promovimit të vendit. Mjetet ndahen nga buxheti i Zyrës së Kryeministrit, nën programi për Promovim të Vendit dhe barten në xhirollogarinë e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan.

– Vendimin për emërimin e katër (4) drejtorëve të Bordit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Hidrodrini Sh. A. Pejë.

– Me kërkesë të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve është miratuar vendimi për ndarjen e pesë milionë e njëzet e pesë mijë eurove (5 milionë e 25 mijë euro), nga të cilat pesë (5) milionë do të dedikohen për subvencionimin e kursimit të energjisë elektrike nga konsumatorët dhe njëzet e pesë mijë euro për masën e përballjes me inflacionin.

– Vendimin për ndarjen e njëzet e katër milionë e gjashtëqind mijë eurove (24.6 milionë euro) për përballje të ngritjes së mundshme të çmimit të energjisë elektrike dhe masës 3.7 të Ringjalljes Ekonomike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat