Rifat Brahimaj është shkarkuar sot nga pozita e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë në QKUK. Shkarkimi i tij vjen një javë pas një operimi të rrallë, që ishte kryer në këtë klinikë, por që pacienti kishte vdekur disa orë më pas.
Një operacion i rrallë është kryer para rreth një jave në Klinikën e Kardiokirurgjisë në QKUK, por pacienti i moshës 65-vjeçare ka vdekur disa orë më pas.
Këtë operacion e kishte realizuar kardiokirurgu Kushtrim Shala, i cili ishte mburrur në Facebook, se kishte realizuar suksesshëm për herë të parë në QKUK, operacionin “David”, për të cilin tha se kryhet kryesisht në qendra të mëdha e me eksperiencë afatgjatë.
Pas këtij rasti kishte reaguar ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj klinike, Rifat Brahimaj, i cili drejtoi akuza ndaj Shalës dhe mjekëve të tjerë që e kryen këtë operacion, duke thënë se s’janë kompetent.
“Mjekët që e kanë kryer këtë operacion nuk janë kompetent për ndërhyrje të tilla sepse ata kanë vështirësi edhe në procedura standarde. Të hysh në një procedurë të tillë pa pasur përvojën e duhur dhe ta paraqitësh si sukses, e pacienti ndërron jetë pas disa orësh, kjo me të vërtetë është hipokrizi”, deklaroi Brahimaj.
I njëjti paralajmëroi edhe se do të merren masa ndaj mjekëve.
“Ju e dini se është e ndaluar me rregullore të SHSKUK-së publikimi i rasteve të tilla. Kjo është shkelja e parë që e kanë bërë mjekët dhe sigurisht se duhet të merren masa. Duhet poashtu të bëhet një vlerësim i rastit. Pacientët mund të vdesin nga komplikime edhe në rastet më të lehta, por në këtë rast është kryer një procedurë nga persona jokompetent. Ata kanë licencën e kardiokirurgut dhe ne nuk mund t’i ndalojmë të kryejnë operacione ose t’ju tregojmë se cilat operacione t’i kryejnë, por duhet të shikohet rasti dhe të merren masa”, ka deklaruar Brahimaj.
Por, sot masat u morën ndaj tij. Shërbimi Spitalor Klinik dhe Univeristar i Kosovës ka njoftuar sot se e ka shkarkuar nga kjo pozitë Brahimajn.
Sipas SHSKUK’së, kjo është bërë “pas analizës së situatës së fundit” në këtë klinikë.
Në vend të tij, ushtrues detyre është caktuar Shpejtim Shurdhiqi.
“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, njofton se pas analizës së situatës së fundit në Shërbimin Klinik të Kardiokirugjisë, është liruar nga detyra e ushtruesit të detyrës së drejtorit, Dr. Rifat Brahimaj. Ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimit të Kardiokirugjisë në QKUK është caktuar Dr. Shpejtim Shurdhiqi”, thuhet në njoftim.
Lidhur me këtë rast, Oda e Mjekëve të Kosovës kishte nisur hetimet edhe për kirurgun e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Kushtrim Shala dhe tashmë ish- Drejtorin e Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj.
Lajmin e kishte konfirmuar Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.
“Kanë nisur hetimet në dy nivele pas vdekjes së pacientit mundësia e shkeljeve profesionale po edhe shkeljeve etike si prej anës së mjekut ashtu edhe të drejtorisë”, kishte deklaruar Sejdiu.
Ai kishte sqaruar edhe procedurat se si do të hetohet rasti, duke shtuar se deklaratat do t’i merr Prokurori i Odës.
“Janë çështje të prokurorit të Odës i cili i merr deklaratat e tyre. Presim edhe raportin prej inspektoratit shëndetësor i cili i mbledhë gjitha dokumentacionet dhe ia dorëzon Odës kjo është procedura. Pastaj edhe nëse është fut edhe prokuroria e shtetit që siç kemi marr vesh që po me siguri do të lypet edhe ekspertizë”, kishte thënë Sejdiu.
Edhe Prokurori i Shtetit kishte autorizuar policinë që të kryejë hetime nëse ka pasë ndonjë vepër penale.
Këtë e kishte konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj
“Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme, me qëllim të sqarimit të kësaj çështje dhe eventualisht në rast të paraqitjes së elementëve të ndonjë vepre penale, do të veprohet tutje me këtë rast”, kishte thënë Ulaj.