​Mirëpriten mesazhet e këshilltarit të lartë të ShBA-së, pritet dinamizim i dialogut Kosovë-Serbi

Aktuale

​Mirëpriten mesazhet e këshilltarit të lartë të ShBA-së, pritet dinamizim i dialogut Kosovë-Serbi

Më: 12 janar 2023 Në ora: 14:14
KëshilltariI i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet

Një ditë pas vizitës në Kosovë të këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet po mirëpriten mesazhet e tij për dialogun Kosovë-Serbi, veçmas rikonfirmimin se njohja reciproke duhet të jetë në qendër të marrëveshjes finale. Megjithatë, nga opozita dhe shoqëria civile i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i merr seriozisht edhe kërkesat e ShBA-së sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke garantuar se i njëjti do të jetë në përputhje me Kushtetutën. Ndërkohë, theksojnë se qëndrimi i Chollet në Kosovë dhe Serbi pritet të dinamizojë dialogun.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë për KosovaPress se Kosova duhet t’i dëgjojë kërkesat e ShBA-së, por gjithmonë duke ruajtur kushtetutshmërinë dhe integritetin territorial.

Krasniqi: Duhet të dëgjohen kërkesat e ShBA-së

“Gjithmonë duhet t’i dëgjojmë kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasi çdo herë që i kemi dëgjuar ka qenë mirë. Mendoj se edhe këtë herë kryeministri dhe presidentja duhet t’i dëgjojnë, gjithmonë duke bashkëpunuar edhe me opozitën. Ne si LDK e kemi përkrah kryeministrin në gjitha proceset integruese të vendit, sidomos në dialog. Por gjithmonë duke ruajtur kushtetutshmërinë dhe integritetin... Dinamizmi i dialogut? Siç po shihet po, po i shohim vizitat në Kosovë të zyrtarëve nga ShBA-ja dhe BE-ja, shpresojmë dhe besojmë se deri në muajin mars të përfundojë ky proces shumë i rëndësishëm për Kosovën”, thotë ajo.

Në anën tjetër, Arbëresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), thotë për KosovaPress se vizita e djeshme e Chollet në Kosovë ishte shumë e rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës, po ashtu edhe për dinamizimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Mirëpo, krahas mesazheve mbështetëse për Kosovës, ajo thotë se Chollet kërkoi qartazi formimin e Asociacionit.

Loxha: U rikonfirmua kërkesa e ShBA-së që njohja reciproke të jetë në qendër të marrëveshjes

“Ishte jashtëzakonisht vizitë e rëndësishme. Së pari e rikonfirmoi interesimin e ShBA-së që të dinamizojë dialogun Kosovë-Serbi, njëkohësisht e shpreh mbështetjen e saj tutje për Kosovën në përgjithësi. Së dyti, konsideroi se u shpreh tendenca për të dinamizuar dialogun me qëllim që të përmbyllet këtë vit. E kemi pa se prej krejt partnerëve strategjik është rrit presioni që të dinamizohet në përgjithësi procesi i dialogut Kosovë-Serbi. Së treti, është tejet e rëndësishme sepse rikonfirmoi kërkesën e ShBA-së që njohja duhet të tjetër në qendër të marrëveshjes finale. Kjo është po ashtu një rikonfirmim i rëndësishëm, pasi në përgjithësi në opinion publik ka mbizotëruar një lloj skepticizmi nëse e njëjta po shtyhet përpara nga ShBA-ja. Në anën tjetër, dinamizimi dhe si do të ecë tutje dialogu varet shumë prej palës serbe. Deri më tani është shumë e qartë se për palën serbe është shumë e qartë që të shtyhet dialogu sesa të arrihet një marrëveshje finale. Një mesazh tjetër i rëndësishëm ka qenë edhe kërkesa për formim të asociacionit”, deklaron Loxha.

Ndërkaq, analisti politik, Gazmir Raci, thotë për KosovaPress se pret dinamizim të dialogut, pas vizitës së Chollet në Kosovë dhe Serbi.

Raci: Pritet të ketë dinamizim të dialogut Kosovë-Serbi

“Si fillim vit është vizitë shumë e rëndësishme e nivelit të lartë. Kjo tregon se marrëdhëniet diplomatike dhe politike të ShBA-së janë të shkëlqyera dhe vazhdojnë me qenë edhe pse ka pasur opinione të ndryshme se ato mund të jenë rrezikuar vitet e fundit. U pa një ri konfirmim i fuqishëm i këtyre marrëdhënieve dhe një angazhim i shtuar i ShBA-së për të finalizuar sa më shpejtë marrëveshjen në Bruksel... Tashmë në rrugën për finalizim të marrëveshjes në bazë të planit franko-gjerman nuk ka më pengesa. Barrikadat i hoqi Serbia, pasi ishte një pretekst i tyre për të shtyrë fillimin e dialogut. Palët duhet që brenda këtij viti të gjejnë zgjidhjen sa më shpejtë që të jetë e mundur”, thekson Raci.

Këshilltari i lartë i ShBA-së, Derek Chollet, gjatë vizitës së tij dje në Kosovë, përveç krerëve institucionalë, takoi edhe liderët opozitarë dhe përfaqësues nga Lista Serbe.

Ai zhvilloi një takim joformal edhe me përfaqësues të mediave në Kosovë. Pas këtij takimi, u raportua se Chollet ka theksuar nevojën për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke nënvizuar se njohja reciproke duhet të jetë në qendër të ujdisë finale. Megjithatë, siç u raportuar, Chollet ka potencuar edhe urgjencën për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, por gjithmonë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Pas vizitës në Kosovë, Chollet sot po qëndron në Serbi, ku do të takojë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat