Hamiti: SHBA-ja e përkushtuar ta kthejë dialogun në binarë

Aktuale

Hamiti: SHBA-ja e përkushtuar ta kthejë dialogun në binarë

Më: 13 janar 2023 Në ora: 18:59
Muhamet Hamiti

Anëtari i Kyesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuar për ta kthyer procesin e dialogut në binarë.

Kjo deklaratë e Hamitit e dha duke komentuar vizitën në Kosovë të Këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet,të Zëvendës Ndihmës Sekretarit, Gabriel Escobar dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarit i Mbrojtjes, Spencer Boyer.

“Kishim këtë vizitë të nivelit të lartë që kryesonte Chollet, kishte me vete zyrtarë të lartë nga Departamenti i Mbrojtjes. Domethënë kjo tregon përkushtimin dhe seriozitetin e SHBA-së për ta kthyer procesin e dialogut në binarë, sepse kishte dalë nga binarët për shkak të krizave që u krijuan në veri”, deklaroi Hamiti.

I pyetur se a mund të ketë hapa konkret në dialogun Kosovë – Serbi, Hamiti tha se Qeveria e Kosovës duhet të jetë më proaktive në këtë çështje.

“Këtë po e thonë edhe aleatët, si SHBA-ja e BE-ja, ata kërkojnë dinamizim të këtij dialogu. Ajo që duhet të bëjë Qeveria është që të jetë më pro-aktivë për ta kthyer dialogun aty ku duhet të jetë, për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, me njohje në thelb të saj”, u shpreh tutje ai.

Madje, sipas Hamitit pushtetarët e vendit nuk i kanë kuptuar me kohë mesazhet e ndërkombëtarëve, përcjellë teve1.info.

Ndërkaq, sa i përket tensionimeve të fundit në veri, Hamiti vlerësoi se Kosova në koordinim me aleatët e saj, nuk duhet ta lejojë Serbinë që pjesën veriore ta ketë si kartë në tryezën e bisedimeve.

“Këtë mundësi që po e përdor Serbia për ta minuar Kosovën, sovranitetin e saj dhe sundimin e ligjit në një pjesë të vendit, është diçka që Kosova me mend, me punë dhe me koordinim me aleatët tanë, nuk duhet ta lejojë ta përdorë në tavolinën e bisedimeve. Në veri kemi një situatë më të keqe, për fajin e Qeverisë Kurti”, u shpreh më tej Hamiti.

E lidhur me vendimin për targa, Hamiti konsideroi se për faj të Qeverisë Kurti, vendimi për targa tashmë është pa afat.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat