Tahiri për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës: Qeveria ka dështuar, kjo është e pafalshme

Aktuale

Tahiri për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës: Qeveria ka dështuar, kjo është e pafalshme

Më: 14 janar 2023 Në ora: 13:29
Abelard Tahiri

Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka akuzuar Qeverinë duke thënë se ka dështuar që aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës të jetë në agjendë.

Sipas Tahirit, ky ka qenë një moment i favorshëm për vendin, por që ekzekutivi ka dështuar dhe sipas tij, është e pafalshme.

Tahiri në një postim në facebook, gjithashtu ka thënë se që nga fillimi, Qeveria ka nisur si degradim në politikën e jashtme.

Postimi i plotë:

Është fakt i kryer që Qeveria e Kosovës ka dështuar të vejë në agjendë aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Dhe këtë fakt nuk mund ta fshehin deklaratat politike të MPJ-së, ku në mes tjerash, iu tregohet vendeve anëtare të Këshillit se kushtëzimet qenkan të padrejta e jashtë rregullave të Këshillit. Nuk ka kurrfarë kushtëzimi. Ka thjeshtë dështim nga mos koordinimi.

Pra, ajo çfarë para dy vitesh ka nisur si degradim i gjithanshëm në politikën e jashtme të Kosovës, tash po prodhon edhe efekte konkrete. Dështimi i qeverisë për të ndërtuar një kohezion të qëndrueshëm dhe koordinim adekuat me partnerët ndërkombëtar, në mënyrë që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, është një ndër dështimet kapitale në 20 vitet e fundit. Aq më tepër, në një rrethanë ku kundërshtarët më të mëdhenj të Kosovës nuk janë më pjesë e këtij Këshilli, si dhe kur një atmosferë e unitetit përballë aksit të së keqes po mbretëron nëpër Evropë, humbja e këtij shansi është e pafalshme.

Për shkak të kësaj gjendje anemike në politikën e jashtme, sot, partnerët që na kanë ndihmuar në bërjen e shtetit, janë skeptik nëse vetë shteti ynë e ka të qartë se në çfarë rruge ka marrë drejtim. A se shteti ynë ka mbetur pa drejtim të qartë e pa ide se cilën rrugë duhet ndjekur, kjo tash është dukshme si drita. Ky është dështim më së paku i Ministres Gërvalla, e më së shumti i binomit Osmani-Kurti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat