Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, thotë se me pikëllim ka marrë lajmin për vdekjen e intelektuales, arkeologes së shquar, shkrimtares dhe ish deputetes, Edi Shukriu.
Konjufca përmes një shkrimi në Facebook, shkruan se Shukriu la gjurmë të pashlyeshme në fushën e shkencës, letërsisë, historisë, arkeologjisë, kulturës dhe mendimit politik.
Sipas tij, Edi Shukriu dha kontribut të pa zëvendësueshëm në pavarësinë dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës.
“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për vdekjen e intelektuales, arkeologes sonë të shquar, shkrimtares dhe ish deputetes, Edi Shukriu.
Ajo la gjurmë të pashlyeshme në fushën e shkencës, letërsisë, historisë, arkeologjisë, kulturës dhe mendimit politik.
Edi Shukriu dha kontribut të pazëvëndësueshëm në pavarësinë dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës. Akademikja Shukriu njëkohësisht ishte shembulli i gjallë i gruas së angazhuar e aktiviste me pjesëmarrjen e saj në proceset kyçe nëpër të cilat kaloi populli dhe shoqëria jonë.
Trashëgimia që e la pas mbetet për t'u studiuar e kujtuar.
Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen e saj, bashkëpunëtorët, për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe mbarë kombin shqiptar”, ka shkruar Konjufca.