Gjykimi në Hagë, gjyqtari jep lajmin e keq për Thaçin dhe ish-krerët e UÇK-së

Aktuale

Gjykimi në Hagë, gjyqtari jep lajmin e keq për Thaçin dhe ish-krerët e UÇK-së

Më: 18 janar 2023 Në ora: 06:51 Përditësuar në ora: 16:26 më 18.01.2023
Rexhep Selimi dhe Hashim Thaçi

Trupi gjykues: Gjyqi ndaj Thaçit dhe të tjerëve fillon më 1 mars nëse nuk ka rrethana përjashtimore

Gjykimi ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të fillojë më 1 mars të këtij viti. Në konferencën përgatitore të mbajtur në Dhomat e specializuara të Kosovës në Hagë, trupi gjykues përmes një urdhri gojor ka bërë të ditur këtë datë për fillimin e gjyqit nëse nuk ka rrethana përjashtimore.

Kryetari i trupit gjykues Charles L Smith II ka thënë se kësaj i paraprin konferenca përgatitore e prokurorisë së specializuar e cila do të mbahet më 17 shkurt.

Smith: Gjykimi ndaj Thaçit dh të tjerëve fillon më 1 mars nëse nuk ka rrethana përjashtimore

Urdhri gojor i shtatë ka të bëjë me datën për konferencën përgatitore për prokurorinë e specializuar dhe fillimin e gjykimit. Trupi gjykues e cakton datën 1 mars për fillimi ne gjyqit nëse nuk ka rrethana përjashtimore. Konferenca përgatitore e prokurorisë së specializuar do të mbahet më 17 shkurtit 2023. Urdhri i tetë urdhëron ZPS-në të tregojë një vlerësim të gjatësisë së çështjes së saj apo argumenteve të saj, ZPS-ja kërkohet që të paraqesë në konferencën përgatitore një vlerësim të kohëzgjatjes së argumenteve të saj”, ka thënë Smith.

Një urdhër tjetër turpi gjykues e ka lëshuar për shtyrjen e afatit për mocionet e mbrojtjes ndaj parashtrimeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar për 12 dëshmitarët e saj.

Smith: Mbrojtja duhet t’i dorëzojë mocionet ndaj 12 dëshmitarëve të ZPS-së jo më vonë se data 13 shkurt

Pasi ka dëgjuar që janë paraqitur arsye bindëse trupi gjykues miraton mocionin e mbrojtjes për dosjen F1204. Pala mbrojtëse urdhërohet t’i dorëzojë mocionet e saj ndaj 12 dëshmitarëve të parë të ZPS-së jo më vonë 13 shkurti 2023 ora 16:00”, ka thënë gjykatësi Smtih.

Trupi gjykues i ka kërkuar ZPS-së të dorëzojë listën e ndryshuar të provave materiale brenda 30 janarit 2023.

Gjithashtu ka urdhëruar prokurorinë të dorëzojë mocionin e rregullës 154 për 12 dëshmitarët e parë brenda 7 shkurtit 2023.

Ndërsa pala mbrojtëse, ka bërë të ditur ai, duhet të dorëzojë përgjigjen ndaj këtyre mocioneve nëse dëshirojnë, jo më vonë se data 20 shkurt.

Ndërsa lidhur me grupin e dytë të 12 dëshmitarëve, ZPS-së i është kërkuar t’i dorëzojnë mocionet e rregullës 153 dhe 154 brenda datës 15 mars 2023.

Përgjigjet ndaj këtyre mocioneve, pala mbrojtëse duhet t’i dorëzojë jo më vonë se 27 marsi.

Gjithashtu trupi gjykues ka urdhëruar ZPS-në dhe palën mbrojtëse që të dorëzojnë mocionet e tyre për faktet e gjykata në bazë të rregullës 157 (2) para datës 1 mars.

Në këtë konferencë turpi gjykues ka kërkuar nga Zyrën Administrativë të dorëzojë aplikimet për pjesëmarrjen e viktimave brenda datës 15 shkurt.

“Palët kërkohet që të paraqesin mocionet lidhur mbi bazën ligjore për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e përbashkët, nëse dëshirojnë ta bëjnë një gjë të tillë, jo më vonë se 20 shkurti 2023 ora 16:00”, ka thënë kryetari turpit gjykues.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë. 

​Emmerson: Në rastin “Limaj” dhe “Haradinaj” u konstatua që UÇK nuk ka pasur politikë për të sulmuar popullatën civile

Në konferencën përgatitore në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson duke folur për rastet “Limaj” dhe “Haradinaj” ka theksuar se nga trupet gjykuese ishte konstatuar që UÇK nuk ka pasur politikë për të sulmuar popullatën civile. Emmerson ka theksuar se përfundime të tilla janë nxjerrë pasi janë shqyrtuar dëshmitë të cilat do të shfrytëzohen edhe nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në çështjen “Thaçi dhe të tjerët”.

Derisa palët kanë diskutuar pikëpamjet mbi ekzistencën e pretenduar të një sulmi të përhapur ose sistematik në dritën e gjetjeve në rastet e TPNJ-së “Limaj” dhe “Haradinaj”, avokati Emmerson ka thënë se në këto raste nuk ishte e nevojshme të bëhet pyetje për sulm sistematik, meqë nuk ka ekzistuar sulm mbi popullatën civile.

Emmerson: Në rastin Limaj dhe Haradinaj është konstatuar që UÇK nuk ka pasur politikë për të sulmuar popullatën civile

Në rastin ‘Limaj’ nuk janë paraqitur dëshmi që të dëshmojnë që UÇK-ja ka sulmuar popullatën civile, pas nuk ishte kjo në veprimtarinë e tyre, UÇK nuk e ka bërë një gjë të tillë. Në rastin ‘Haradinaj’ gjykatësi arriti pak më tej dhe bazuar në të njëjtat prova, në paragrafin 122, konkluzionet e turpit gjykues atje ishin se nuk ka pasur sulm mbi popullatën civile, pra nuk ishte e domosdoshëm të bëhej pyetje fare për sulm të gjerësishëm apo sistematik pasi nuk ka ekzistuar një sulm mbi popullatën civile si premisë fillestare. Pra dy turpet gjykuese pasi kanë shqyrtuar të tërë dëshmitë të cilat do t’i shfrytëzojë edhe ZPS arritën në përfundimin që UÇK nuk ka pasur politikë për të sulmuar popullatën civile”, ka thënë ai.

Në këtë konferencë janë diskutuar edhe pikëpamjet e palëve mbi ekzistencën e pretenduar, natyrën dhe kohëzgjatjen e një konflikti të armatosur.

Emmerson: Diskutimet mbi fillimin dhe fundin e konfliktit janë shumë të rëndësishme

Bazuar në diskutimin që patëm këtu sa i përket fillimit dhe fundit të konfliktit, këto janë çështje të rëndësishme, pasi që nëse nuk ka bazë të arsyeshme ZPS-ja të demonstrojë që ka ekzistuar një sulm i gjerësishëm dhe sistematik i cili të jetë krim kundër njerëzimit sipas aktakuzës, ne do të thoshim që trupi gjykues aktual do të arrijë në konkluzionin që nuk ka juridiksion për të trajtuar ngjarjet që nuk përfshihen në periudhën e aktakuzës apo të konfliktit në fakt, dhe nuk di nëse kjo është në fakt ajo që ka motivuar ZPS-në kundër rrugës së konkluzioneve të të tjerëve”, ka theksuar Emmerson.

Ai ka kritikuar prokurorinë se njëjta sipas tij nuk po i përmbledh siç duhet konkluzionet e çështjes “Limaj” apo “Haradinaj” duke theksuar se në këto dy çështje prokuroria asnjëherë nuk ka arritur në përfundim që konstatimet trupit gjykues ishin të gabuara.

Emmerson: ZPS të tregojë cili është ndryshimi midis çështjeve penale “Limaj” apo “Haradinaj” dhe kësaj aktuale

“Zoti Tiger (prokurori) e ka barrën e qartë për të treguar se për çfarë flitet në përgjithësi sipas një modeli të veprimit kanë qenë të njëjta atje dhe këtu. Ai duhet të na tregojë cili është ndryshimi midis atyre çështjeve penale dhe kësaj çështje këtu, dhe nga pikëpamja e parimit të ligjshmërisë ai duhet të gjejë cilat janë ndryshimet dhe ju ta vlerësoni të nderuar gjykatës këtë çështje sepse përndryshe ne po harxhojmë kohën dhe burimet që ka kjo gjykatë këtu. Këtu bëhet fjalë për pretendime të krimeve të luftës apo kundër njerëzimit të njëjtën periudhe kohore. Po të ishte kjo e vërtetë atëherë do të ja vlente por në këtë rast nëse prokuroria vazhdon me pretendimet e krimeve kundër njerëzimit apo me prova që të provojnë që UÇK e ka pasur këtë synim do të jetë humbje kohe”, ka thënë ai.

Në konferencën përgatitore në Hagë po marrin pjesë fizikisht Hashim Thaçi, Kadri Veseli Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Gjatë kësaj konference, palët nuk kanë kundërshtuar marsin e këtij viti si muaj për fillimin e gjykimit.

Gjithashtu, avokatët dhe prokuroria janë pajtuar qe të mos lexohet aktakuza në fillim të gjykimit veçse Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë të ditur që do të bëjë deklaratë hyrëse. Gjithashtu avokatët kanë deklaruar që do të bëjnë deklaratë hyrëse, pas asaj të ZPS-së.

Gjyqi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, prokuroria: Na duhen mbi 700 orë për të paraqitur çështjen

Në konferencën përgatitore në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndaj të cilëve rëndojnë akuza me pretendime për krime lufte, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka deklaruar se do t’u duhen më shumë se 700 orë për ta paraqitur çështjen e tyre. Ndërsa kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith II ka bërë të ditur se gjykata do të bëjë shkurtime nëse e sheh të nevojshme, sipas tij, për të mbrojtur të drejtat e të akuzuarve për periudhën e gjykimit. Në këtë konferencë palët nuk kanë shprehur kundërshtim që gjyqi të nisë në muajin mars të këtij viti.

Trupi gjykues është shprehur i shqetësuar lidhur me kohën që prokuroria e ka vlerësuar për çështjen e saj.

Kryegjykatësi Smith ka inkurajuar ZPS-në që të shqyrtojë nevojën për të shkurtuar paraqitjen e argumenteve të saj si dhe për të shfrytëzuar të gjitha instrumentet procedurale që ka në dispozicion për të mundësuar një gjyq të drejtë por edhe të shpejtë.

Smith: Do të shkurtojmë periudhën e pyetjeve që do t’u bëhen dëshmitarëve

“Ne kemi treguar vizionin tonë lidhur me ditët e seancave për periudhën në vazhdim, dhe nëse kjo funksionon siç duhet do të dëgjohen dëshmi për 600 orë në një vit dhe mund të them që nga përvoja ime që asgjë nuk është perfekte dhe gjyqi mund që zgjasë më shumë sesa shpresojmë. Është angazhim mjaft i madh për të pasur 600 orë brenda një viti megjithëkëtë ky është synimi që kemi. Ne e kemi autoritetin sipas rregullës 118 për të marrë masa për të ulur numrin e dëshmitarëve, të akuzave, të vendit të krimeve dhe për ti kërkuar ZPS-së të zvogëlojë periudhën e pyetjeve paraprake që u bën dëshmitarëve, ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha këto mundësi, do ta bëjmë këtë nëse vlerësojmë që ZPS nuk po e shfrytëzon siç duhet kohën që ka në depoziton”, ka thënë gjykatësi Smith.

Ai shtoi se presin që ky gjyq të jetë i gjatë derisa ka kërkuar nga prokuroria që të jap një parashikim të ditëve të gjyqit si dhe marrjes në pyetje të dëshmitarëve të tyre.

Smith për gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve: Presim të jetë gjyq i gjatë

“Ne presim që ky gjyq të jetë i gjatë dhe ne vlerësojmë që periudha pesë vjeçare që parashikohet ka shqetësime të mëdha dhe po të isha unë një dëshmitar do të bëja vet këto programe dhe të mos prisja për turpin gjykues por mos keni gabime, ne do të kemi shkurtime nëse mendojmë që kjo është e domosdoshëm për të mbrojtur të drejtën e të akuzuarve dhe për të bërë të mundur që këto procese penale të mos zgjaten tej mase. Ne do të diskutojmë këtë me prokurorinë dhe do të kërkojmë të na jepet një parashikim i ditëve të gjyqit dhe të marrjes së pyetje të dëshmitarëve të tyre”, ka shtuar kryetari i turpit gjykues.

Gjykatësi ka kërkuar nga prokuroria të tregojë se sa planifikon të zgjasë paraqitja e argumenteve të prokurorisë, për çka prokuroi tha se do t’u duhen pak më shumë se 700 orë.

Howling: Paraqitja e argumenteve të prokurorisë do të zgjasë pak më shumë se 700 orë

“Prokuroria mbetet si edhe në listën e fundit, pak më shumë 700 orë”, tha prokurori Matthew Howling.

Gjithashtu, gjykatësi ka kërkuar që prokuroria të tregojë sa a planifikon t’i thërras të gjithë 323 dëshmitarët që i kishte dorëzuar në listë paraprakisht.

Howling: Do të mbështetemi në dëshmitë e tyre

“Është një numër dëshmitarësh në këtë listë të cilët janë të rregullës 153 dhe 155, të cilët nuk synojmë që t’i thërrasim të vijnë këtu por do të mbështetemi në dëshminë e tyre, jo të gjithë këta dëshmitarë do të vijnë këtu për të dhënë dëshminë para trupit gjykues dhe në fakt disa nuk e bëjnë dot një gjë të tillë, por ata që do të vijnë këtu për të dhënë dëshmi sipas rregullës 154 janë ata që janë në listë. Është e mundur që gjatë gjyqit dëshmitarët mund të paraqesin dëshmi që ta bëjnë të panevojshëm paraqitjen e dëshmitarëve të mëvonshëm por kjo do të varet nga zhvillimet gjatë gjykimit”, ka thënë prokurori.

Ndërsa, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka thënë se ka dëshmitarë që kanë dhënë dëshmi në katër gjyqe të mëparshme.

Emmerson: Na duhet kohë e gjatë për të bërë kundër-pyetjet

“Është një dëshmitar i cili ka dhënë dëshmi në katër gjyqe të mëparshme, ka bërë tetë intervista me ZPS-në, ka dhënë deklaratë në një numër procesesh të tjera penale ndërkombëtare, që të gjitha do të paraqitën këtu, jam i sigurt që në këtë rastin e këtij dëshmitari ZPS do të kalojë një numër orësh duke theksuar ato elemente që dëshiron të thotë dhe koha që do të na duhet ne për të bërë kundër-pyetjet do të jetë shumë e gjerë pasi që është një material i gjerës. Por në përgjithësi shkurtimi i afatit të kohës duke ulur pyetjet kryesore të prokurorisë së dëshmitarëve të cilët më pas vijnë me një dokumentacion të gjerë e ngre barrën që i bëhet palës mbrojtëse për këtë dhe ky është një nga problemet që ZPS asnjëherë nuk është angazhuar”, ka thënë Emmerson.

Në këtë konferencë, prokuroria ka deklaruar se kanë përfunduar shqyrtimin e materialeve shfajësuese dhe kanë bërë të ditur se janë duke përgatitur një paketë tjetër me 15 materiale në të cilën do të ketë kërkesë për masa mbrojtëse.

Prokuroria dhe avokatët kanë deklaruar se nuk kanë kundërshtim që gjykimi të fillojë në mars të këtij viti.

Emmerson: Nuk ka arsye që gjykimi të fillojë në mars

“Parimisht nuk ka asnjë arsye pse të mos fillojmë më 1 mars, e vlerësojmë sigurisht dhe pajtohen besoj kolegët e mijë, sigurisht që ne kemi një periudhë të jashtëzakonshme intensive pune këtë muaj që mbase do na krijojë disa vështirësi teknike në fakt, por ne në bashkëpunim me Zyrën Administrative kemi pasur disa vështirësi për pikën e kontaktit në Kosovë p.sh., pra disa nga këto aspekte mund të na krijojë disa pengesa por unë nuk i parashikoj këto, por nuk shoh asnjë pengesë të fillojmë më 1 mars”, ka thënë avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Ndërsa mbrojtja e Rexhep Selimit ka propozuar që të ketë pushime pas deklaratave hyrëse në mënyrë që mbrojtja të ketë mundësi të përgatitet.

Ai gjithashtu ka kërkuar që në 12 dëshmitarët e parë të prokurorisë të mos ketë dëshmitarë që të flasin për pretendime konkrete ndaj Selimit, meqë sipas tij, kjo do të ndikonte në përgatitjen e mbrojtjes së tij.

Ish-krerët e UÇK-së po marrin pjesë fizikisht në sallën ku po zhvillohet konferenca përgatitore.

Gjyqtari: Gjykimi mund të zgjasë më shumë se që është planifikuar

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, ka thënë se gjykimi mund të zgjasë më shumë se që është planifikuar.

Ai ka thënë se do të dëgjohen 600 orë dëshmi në vit.

“Do të dëgjohen dëshmi, 600 orë në një vit dhe mund të them nga përvoja ime se asgjë nuk është përfekte dhe që gjyqi mund të zgjasë më shumë se sa shpresojmë”, ka thënë ai.

Më tej, ai ka thënë se kanë autoritet që të ulin numrin e dëshmitarëve.

“Ne kemi autoritetin sipas rregullës 118 për të marrë masa për të ulu numrin e dëshmitarëve të akuzës për krime dhe për t’i kërkuar ZPS-së që të zvogëlojë periudhën e pyetjeve paraprake që u bëhen dëshmitarërve”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se kjo mund të bëhet nëse vlerësohet se ZPS-ja nuk po e shfrytëzon kohën si duhet që është në dispozicion.

“Po e përsëris se do të bëjmë këtë gjë vetëm nese vlerësojmë se ZPS-ja nuk po e shfrytëzon si duhet kohën që ka në dispozicion”, ka thënë më tej ai.

Kujtojmë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi qe dy vite ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë nën akuza për krime lufte.

Avokati i Veselit flet për një dëshmitar që pritet të paraqitet në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Ben Emmerson, avokat i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, në seancën e sotme përgatitore foli për dëshmitë e dëshmitarëve që pritet të paraqiten në gjykimin ndaj klientit të tij dhe tre ish-krerëve tjerë të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.

Emmerson, teksa foli për listën e dëshmitarëve, përmendi një nga ta, dëshmia e të cilit tha se do të marrë kohë në gjykim.

“Është një dëshmitar i cili ka dhënë dëshminë e katër gjyqeve të mëparshme, ka bërë tetë intervista me ZPS-në, ka dhënë deklarata në një munër procesesh të tjera penale ndërkombëtare, që të gjitha do të paraqiten këtu”, tha avokati britanik, duke theksuar se ky dëshmitar nuk është ende i mbrojtur.

Kjo çështje, sipas vlerësimit të tij, do të marrë kohë dhe do të duhen orë të tëra për trajtim.

Në mars planifikohet të nis gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Gjykata Speciale synon që gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi të nis më 1 mars.

Në konferencën përgatitore, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith i pyeti palët nëse ka ndonjë pengesë që gjykimi të fillojë në mars, ashtu siç është planifikuar, dhe ata parimisht u pajtuan për këtë.

“Ne jemi gati që ky gjykim të fillojë në mars dhe jemi gati të fillojë më 1 mars. E di që Mbrojtja propozon një datë në fund të marsit në seancën e fundit. Të jemi të qartë, nuk e kundërshtojmë ne, por duam që gjyqi së paku të fillojë këtë muaj dhe pastaj të kemi prezantimin e provave”, tha një prokuror nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ben Emmerson, avokat i Kadri Veselit, tha se s’ka arsye që gjykimi të mos nis në mars.

“Parimisht, nuk ka asnjë arsye që të mos fillojmë më 1 mars”, u shpreh ai, duke theksuar se këta muaj ai dhe kolegët e tij do të kenë punë të vështirë.

Edhe avokatët e të akuzuarve tjerë thanë se duan që gjykimi “të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ish-krerët e UÇK-së paraqiten fizikisht në Speciale

Në Gjykatën Speciale në Hagë ka nisur konferenca përgatitore për gjykim në rastin e ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Ata të katër janë paraqitur fizikisht në këtë seancë paragjyqësore. Më herët, ata kryesisht paraqiteshin përmes lidhjes direkte, duke mos qenë të pranishëm.

Aty pritet të diskutohet lidhur me gatishmërinë e palëve që gjykimi të fillojë më 1 mars dhe kohëzgjatjen e fjalës së tyre hyrëse.

Gjithashtu, pritet të diskutohet edhe për çështjet tjera procedurale dhe substanciale.

Gjykata speciale ka njoftuar paraprakisht se ndër tjerash, do të kërkohen edhe sqarime nga palët lidhur me procedurën e Zyrës së Prokurroit të Specializuar për nxjerrjen e provave dhe listën e dëshmitarëve që do të paraqiten në gjykim.

Një diskutim është paralajmëruar edhe për përgjegjësitë komanduese.

Fillon seanca përgatitore e gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Sapo ka filluar seanca përgatitore e gjykimit ndaj krerëve të UÇK-së.

Kujtojmë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi qe dy vite ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Ata akuzohen për krime lufte. 

Sot në Hagë mbahet konferenca ndaj Thaçit e të tjerëve

Sot do të mbahet konferenca për përgatitjen e gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Sipas njoftimit të gjykatës, aty do të diskutohet lidhur me gatishmërinë e palëve që gjykimi të fillojë më 1 mars 2023 dhe kohëzgjatjen e fjalës hyrëse të tyre dhe çështje të tjera procedurale dhe substanciale. Gjithashtu paneli i Gjykatës së Apelit e ka caktuar shpalljen e aktgjykimit në çështjen e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, për datën 2 shkurt 2023. Kjo u bë e ditur përmes njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovë.

Ndryshe aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020.

Më 22 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, përmes dy vendimeve, miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të korrigjojë dhe ndryshojë aktakuzën, mes tjerash, duke përjashtuar përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III për krime me synim konkret (tri apele kundër këtij vendimi, të dorëzuara nga Thaçi, Selimi dhe Krasniqi, u hodhën poshtë nga Gjykata e Apelit më 22 gusht 2022).

ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e ndryshuar më 3 shtator 2021. Më 23 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për ndryshim të aktakuzës me qëllim që të përfshijë një numër akuzash të reja, konkretisht qendra ndalimi të tjera në komunën e Suharekës, incidente të reja të përndjekjes dhe vrasjes së paligjshme në Gjilan, si dhe incidente të reja të pjesëmarrjes personale të të akuzuarit në krimet për të cilat akuzohet.

Pas hedhjes poshtë të apeleve të Thaçit dhe Veselit kundër këtij vendimi prej Panelit të Gjykatës së Apelit më 22 mars 2022, ZPS-ja dorëzoi versionin e redaktuar publik të aktakuzës së ndryshuar më 29 prill 2022. Më 22 korrik 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi, pjesërisht, kërkesën e Mbrojtjes së Thaçit që pretendon mangësi në aktakuzën e fundit dhe gjithashtu urdhëroi ZPS-në që, deri më 30 shtator 2022, të parashtrojë aktakuzën e ndryshuar më tej, me informacion shtesë lidhur me akuzat aktuale. Informacioni shtesë ka të bëjë me emrat e autorëve të drejtpërdrejt të krimeve, viktimave dhe vendodhjeve përkatëse në paragrafet konkrete në aktakuzën aktuale.

Më 29 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për tërheqjen nga aktakuza të pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt dhe urdhëroi ZPS-në që të pasqyrojë këtë tërheqje të akuzave në aktakuzën e ndryshuar më tej, e cila u dorëzua më 30 shtator 2022. Aktualisht, kjo është aktakuza në fuqi për këtë çështje.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat