Përplasje në Kuvend, PDK-ja vendos pankartë me porosinë për Kurtin

Aktuale

Përplasje në Kuvend, PDK-ja vendos pankartë me porosinë për Kurtin

Më: 18 janar 2023 Në ora: 07:42 Përditësuar në ora: 11:45 më 18.01.2023
Kastrati ka vendosur një pankartë me porosinë për Kurtin

Statovci: Projektligji për Sigurinë e Produkteve parandalon prodhimin e produkteve mashtruese

Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci tha se Projektligji për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve ka për qëllim të përcaktojë kriteret e sigurisë të cilat duhet të përmbushin produktet që janë vënë në dispozicion të tregut.

Sipas saj, me këtë projektligj do të sigurohet vendosja në treg të produkteve ekskluzivisht të sigurta dhe do të parandalojë prodhimin, importim dhe vendosjen në treg të produkteve mashtruese, si dhe eksportin e tyre.

“Objektivat kyçe që duhet të arrijë miratimi i këtuj projektligji janë përafrimi me legjislacionin e BE-së, krijimi i bazës ligjore të mirëfilltë për sigurinë e përgjithshme të produkteve dhe mbikëqyrjen efektive të tregut. Baza për nxjerrjen e këtij projektligji derivon si obligim nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit”, tha Statovci.

“Me miratimin e këtij projektligji krijohet një bazë ligjore funksionale dhe lehtë të implementueshme për sigurinë e përgjithshme të produkteve duke siguruar një nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve që përdorin produktet, si dhe përdoruesve të tjerë që i përdorin produktet për nevojat e tyre në kryerjen e veprimtarive të tyre profesionale. Do të sigurohet vendosja në treg të produkteve ekskluzivisht të sigurta dhe do të parandalojë prodhimin, importim dhe vendosjen në treg të produkteve mashtruese, si dhe eksportin e tyre. Është për tu theksuar se miratimi i këtij projektligji nuk parasheh implikime buxhetore shtesë nga Buxheti i Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Miratohet Projektligji për sigurinë e përgjithshme të produkteve

Kuvendi ka miratuar projektligjin për sigurinë e përgjithshme të produkteve, i propozuar nga ministrja e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

61 deputetë morën pjesë në votim, të gjithë duke votuar pro këtij projektligji.

Ndërkohë, deputetët e PDK-së kanë vazhduar të kërkojnë dorëheqjen e ministres Hajdari, pasi kjo e fundit u dënua nga gjykata për shkak të mosdeklarimit të pasurisë.

Deputeti Abelard Tahiri ka thënë se deputetët e PDK-së nuk do ta votojnë asnjë projektligj të propozuar nga ministrja Rozeta Hajdari.

PDK-ja kërkon shkarkimin e ministres Hajdari

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Në seancën e Kuvendit, Tahiri ka kritikuar qeverinë Kurti pse e mbanë në pozitë një ministre të dënuar.

Ai ka thënë se deputetët duhet t’i bëjnë presion kryeministrit që të njëjtën, ta shkarkojë nga detyra.

“Qeveria Kurti mban ministër që është i dënuar për mosdeklarim të pasurisë. Ju kërkoj që të bëni presion që kjo ministre të shkarkohet pasi është ofendim për qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Seanca e Kuvendit nis me një minutë heshtje për Edi Shukriun

Nisi seanca e parë për sesionin pranveror. Kjo seancë filloi duke përkujtuar dhe nderuar me një minutë heshtje Edi Shukriun, akademiken që ndërroi jetë dje.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se se lajmin për vdekjen e Shukriut e morën me pikëllim dhe shprehu ngushëllime për familjen dhe bashkëpunëtorët e saj.

“Dje ndërroi jetë akadamekja jonë Edi Shukriu lajmin e morën të gjithë me pikëllim ka qenë intelektuale akademike, arkeologe e shquar e popullit tonë po ashtu shkrimtare e profesoreshë e po ashtu edhe deputet e Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e parë dhe ne në emër të Kuvendit të Kosovës shprehim ngushëllime familjes dhe bashkëpunëtorëve të saj të ngushtë dhe propozoj ta mbajmë një minutë heshtje për Edi Shukriun”, tha ai.

Në këtë seancë të së mërkurës do të diskutohen dhe votohen pikat e papërfunduara nga seancat e vitit të kaluar.

Gjithsej, në seancën e sotme në rend dite janë 15 pika nga 7 seanca të kaluara dhe ato janë:

Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 14 tetor 2022:

12. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-172 për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve,
13. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me mosrealizimin e projekteve kapitale të Qeverisë gjatë vitit 2022,
14. Zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës,
15. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2021.

II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 15, 22, 23 shtator 2022:

9. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-123 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive,
10. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-147 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti,
11. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021,
12.Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021,
13. Shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020,
14.Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.05/L-003 për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës,
15. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.06/L-010 për Noterinë,
16. Shqyrtimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021.

III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 7, 24 tetor dhe 18 nëntor 2022:

8. Votimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në sektorin e shëndetësisë,
9. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2021,
10. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për vitin 2021.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat