Deputeti slloven i PE-së, Matjazh Nemec thotë se nëse Serbia dëshiron të bëhet pjesë e familjes evropiane të mendojë si shtetet tjera anëtare.
Tutje ai ka shtuar për “N1” se “nuk ka më durim për Serbinë në Bruksel”.
“Duhet të pajtohemi që jemi në të vërtetë në rrugën e njëjtë”, ka thënë ai për “N1” referuar kërkesës së Parlamentit Evropian për harmonizim të politikave të jashtme, sidomos atyre për luftën në Ukrainë.
Nemec ka thënë se qëllimi i evropianëve është që i gjithë Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e komunitetit evropian. Ka thënë se Parlamenti Evropian s’i ka informatat e plota për progresin lidhur me planin franko-gjerman në dialogun Kosovë-Serbi.
Gjithashtu, deputeti slloven i PE-së ka deklaruar se personalisht mendon që Serbia po lëviz në drejtim të BE-së.
“Por më nuk ka durim për të pritur, në Bruksel duam progres”, ka thënë ai.
Parlamenti Evropian të mërkurën miratoi rezolutën për harmonizimin e politikës së politikës së jashtme dhe sigurisë së Bashkimit Evropian dhe një pjesë e këtij dokumenti i referohet Serbisë, duke iu drejtuar me qëndrimin se Beogradi duhet të përputhë politikën e jashtme me atë të BE-së. Në raport, PE për herën e dytë i bën kërkesë zyrtare BE-së të ndalë negociatat me Serbinë deri të mbushë disa kërkesa thelbësore, dhe më e rëndësishmja është konsideruar harmonizimi i plotë i politikës së jashtme të Serbisë me të Bashkimit Evropian.
Serbia është ndër të paktat vendet evropiane që s’kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.