Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ua ka kujtuar qytetarëve që shtatë zyrtarë nga radhët e LVV-së ishin pasuruar duke tërhequr mjetet nga Trusti, gjatë vitit 2020.
Ndërkohë, pas pothuajse tre vitesh, subjekti politik që po udhëheq vendin po e kundërshton nismën e tërheqjes së 30% të mjeteve nga Trusti në këtë kohë inflacioni.
Megjithatë, ministrat Liburn Aliu, Albulena Haxhiu, Faton Peci, si dhe deputetët Visar Korenica, Jeta Statovci, Adnan Rrustemi dhe Arijeta Rexhepi, shfrytëzuan mundësinë e tërheqjes së 10 për qind të mjeteve nga Trusti Pensional më 2020, ndonëse ndryshimet ligjore asokohe ishin kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ata tërhoqën rreth 11 mijë euro nga Fondi Pensional i Kosovës pas ndryshimit të Ligjit për Fondet Pensionale më 2020, duke shmangur kështu qëndrimin zyrtar të LVV-së.
Për këtë, Krasniqi thotë se LVV-ja ishte kundër shtetit në opozitë dhe kundër popullit në pushtet.
Sipas saj, kjo është e vërteta e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Në mesin e deputetëve nga radhët e partisë në pushtet që janë pozicionuar kundër vullnetit të qytetarëve për tërheqjen e Trustit, ka të atillë që në të kaluaren kanë tërhequr kursimet e tyre, derisa ka edhe të atillë që funksioni i deputetit ka qenë puna e tyre e parë dhe i kanë të pamjaftueshme kursimet e grumbulluara për këto dy vite”, shkroi ajo në Facebook.
“Kënd po e përfaqësoni?”, pyeti ligjvënësja opozitare.