Robert Dussey, ministri i Jashtëm i Togos, shtetit afrikan që tërhoqi njohjen e Kosovës, ka takuar të martën në Beograd, Vladimir Cizeljin, biznesmenin që dyshohet se përmes akteve korruptive po ndikon kundër shtetësisë së Kosovës.
Kryediplomati i Togos ka takuar të martën Cizeljin, e etiketuar si “sekser” i regjimit të Aleksandar Vuçiqit në Serbi.
“Vizitova Institutin e Kërkimeve Teknologjike Vlatacom në Beograd ku mora një pritje shumë të ngrohtë dhe një prezantim emocionues nga Drejtori i Përgjithshëm i Institutit, z. Vladimir CIZELJ dhe bashkëpunëtorët e tij”, tha Dussey.
Të martën, një këshilltar politik i ish-kryediplomatit të Kosovës, Behgjet Pacolli tha se biznesmeni Vladimir Cizelj është “sekser i Vuçiqit dhe Daçiqit”.
Këtu dëshmohet edhe lidhja e fortë biznesore e ministrit të Togos me njerëz të Vuçiqit.
J’ai visité l’institut de recherche technologique Vlatacom de Belgrade où j’ai reçu un accueil très chaleureux et une présentation passionnante du directeur général de l’institut, M. Vladimir CIZELJ et de ses collaborateurs @Vlatacom #Serbie pic.twitter.com/Muu9QK7M4Q
— Robert Dussey (@rdussey) January 17, 2023
I tillë është rasti i takimit ‘formal’ mes tij dhe Vladimir Cizeljit, për çka pati edhe kritika të shumta.
“Drejtori i Kompanisë “Vlatacom Institute”, Vladimir Cizelj, sekseri i Vuçiqit dhe Daçiqit, i njohur për afera korruptive në shumë vende afrikane dhe me çështje gjyqësore në Botsvanë, është personi që vazhdon të shtroj tepihun e kuq për diplomacinë koruptive të Serbisë, që ka prekur edhe ministrin e Jashtëm të Togos, Robert Dussey”, ka thënë Jetlir Zyberaj, këshilltar i Behgjet Pacollit.
Që nga viti 2019, Serbia pretendon se Togo ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Togo njohu pavarësinë e Kosovës më 2 korrik 2014 dhe atëbotë kishte qenë pikërisht kryediplomati Dussey që me ministrin e atëhershëm të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, kishin nënshkruar marrëveshjen për themelimin e raporteve diplomatike mes dy shteteve.
Madje Dussey, kishte ofruar mbështetje për kandidaturën e Hoxhajt në zgjedhjet e vitit 2021 për kryeministër të Kosovës.
Megjithatë, përgjatë 15 vjetëve që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Qeveria në Beograd pretendon se 27 vende e kanë tërhequr njohjen e kësaj pavarësie.
Sipas pretendimeve të Beogradit zyrtar, Togoja – shtet në Afrikën Perëndimore – nuk qëndron e vetme në këtë aspekt.
Në fillim të këtij muaji, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përmendi edhe nëntë shtete të tjera, për të cilat tha se e kanë tërhequr njohjen e Kosovës.
Njohja e fundit që ka marrë Kosova ka qenë nga shteti i Izraelit, në shkurt të vitit 2021.