Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka folur rreth profilit të politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviqit dhe përkujtimin që Kryeministri Kurti ia ka bërë atij.
Haziri ka thënë se qasja e Ivanoviqit, të cilin e vlerësoi Kurti në pesëvjetorin e vrasjes së tij, ka qenë e dëmshme për Kosovën menjëherë pas lufte.
Nënkryetari i Kurtit ka përmendur se dënimin për krime lufte ndaj popullsisë shqiptare të Ivanoviqit, por edhe angazhimin e tij politik, në lëvizjet që ishin të lidhura me Beogradin zyrtar.
“Impaktin që e kanë pasur, impaktin politik që e ka pasur lëvizja e tij kundërshtuese e shtetit të Kosovës, dëmet janë akoma të pariparueshme”, ka thënë Haziri.
Ai ka thënë se Kurti po i reciklon disa prej figurave të listës “Povratak”, që ka përfaqësuar serbët e Kosovës paslufte, duke përmendur angazhimin e Rada Trajkoviqit si këshilltare e ministrit për Komunitete dhe Kthim.
“Ai tani po punon me të listës “Povratak”. Një ish-ministre, një ish-lidere në kohën e Millosheviqit është në kabinetin e tij si këshilltare [Rada Trajkoviq], tregon se ai po punon me fosile politike”, ka thënë Haziri.
Për vlerësimin që Kurti i bëri Ivanoviqit, Haziri thotë se kjo më shumë flet për profilin politik të Kryeministrit.
“Askush nuk ka besuar që Kryeministri del dhe e përkujton një kriminel lufte, deri dje”, ka thënë nënkryetari i LDK-së, duke thënë se Kurti e përshkroi Ivanoviqin si një burrështetas.
“Me dalë edhe me përkujtu një të dënuar për krime lufte, është i papranueshëm për ne. Ai mund të flasë si Albin Kurti, por jo si Kryeministri i Kosovës”, ka thënë Haziri.