Politologia, Arta Tahiri-Beqa vlerëson se Kosova është vonuar me themelimin e Asociacionit dhe kjo çështje sipas saj do ta dëmtojë situatën apo pozicionin e Kosovës në raport me Serbinë.
Megjithatë, ajo thotë se në asnjë formë ai nuk duhet të jetë asociacion etnik dhe se nuk duhet të ketë komeptenca ekzekutive.
“Kosova ne e dimë që me Kushtetutë respektohen të drejtat dhe liritë themelore të minoriteteve dhe në bazë të kësaj ne e dimë që edhe mbase në vende të Evropës, që ka grupacione, asociacione apo bashkësi ku ato realizojnë qëllimet e tyre, por gjithmonë me kompetenca joekzekutive”, ka thënë Tahiri-Beqa.
Tutje ajo shton se Asociacioni është më shumë sugjerim se detyrim.
“Nuk është thënë detyrim Asociacioni që të kërkohet nga Kosova, por është kërkuar në formën e sugjerimit. Ka qenë një pikë që është dashur të shfrytëzonte Kosova. Ajo këshillë është dashtur të shfrytëzohej dhe të dorëzohej në plan që do të ishte në favorin tonë. Ne e dimë se Serbia nuk do ta pranonte”, ka shtuar njohësja e rrethanave politike.
Tahiri-Beqa thotë se me dorëzimin e një drafti menjëherë pasi Kushtetuesja kishte shpallur 33 pika jokushtetuese, Kosova do të dilte shtet më serioz.
Sa i përket hartimit të draftit nga dega e fondacionit Frierdirch Evert-Stiftung thotë se fuqia e këtij instituti është vetëm këshilluese.
“Institutet nuk mund të marrin vendime por mund të këshillojnë. Nuk ka asgjë të keqe sepse nga ekspertët që ky institut ka mund të krijojë një draft me kornizat që Qeveria do t’i realizojë. Dhe në fund nëse është një draft i përshtatshëm, do ta bënte edhe më demokratike Kosovën në dialog”, ka shtuar ajo.