Deputeti i LVV-së, Dimal Basha, i ka dalë në mbrojtje kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob, i cili të enjten e ka quajtur trillim të pastër përfshirjen e tij në ndonjë aferë me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Në prill të vitit të 2022’s, ambasadori Berishaj akuzohej nga mediat në Lubjanë se është përfshirë në një skandal për shpëlarje parash në Slloveni.
Për këtë, Basha pyeti se ‘a duhet t’i besojmë një gazetari të së djathtës ekstreme apo kryeministrit slloven’.
“Në gjithë këtë debat t’ndotun, qytetarët shpeshherë me të drejtë mbesin të hutuar, mirëpo besoj secili duhet me bë këtë pyetje vetes, a m’i besu një gazetari i të djathtës ekstreme që është suspendu për shpërndarje të Fake News, apo Kryeministrit slloven, i cili poashtu është sulmuar me fake news nga po i njejti gazetar shpifës”, shkroi ai në Facebook.
“Procesi vazhdon, por tani për tani këtu jemi, fjala e kryeministrit slloven v. një gazetari shpifës”, përfundoi ai.
Kompania e ambasadorit Berishaj, “MB Consulting”, dyshohet se i ka marrë 600 mijë euro të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.
“A e dini se kush e nisi këtë. Këtë e ka nisur partia SDS para zgjedhjeve tona. Në atë kohë ata thanë se më financuan mua dhe fushatën time. Por më pas zbuluam se ky Berishaj, meqë ra fjala është ambasador në Zagreb, është mik personal i Janez Janshas. Dhe në atë moment, gjëja nga Sllovenia u zhduk. Tani u ringjall, me sa duket në Kosovë, ndoshta nga miqtë, armiqtë, nuk e kam idenë”, u shpreh Golob për një televizion slloven.