Chollet: Vendimi i fundit i Kosovës për targat “KM” mund të çojë në krizë

Aktuale

Chollet: Vendimi i fundit i Kosovës për targat “KM” mund të çojë në krizë

Më: 19 janar 2023 Në ora: 18:38
Këshilltari i Lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet

Këshilltari i Lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, shprehet i shqetësuar me vendimin e fundit të Kosovës të mos lejojë qarkullimin e veturave me targa ilegale serbe “KM”, me regjistrim të rinovuar. 

Chollet deklaroi se SHBA’të nuk kanë dashur të shohin pikërisht këso veprime, dhe tha se këtë e bëri të qartë edhe gjatë vizitës së tij të fundit në rajon.

“Fatkeqësisht, ky është pikërisht ai lloj hapi që nuk kemi dashur ta shohim. Kur kam qenë në rajon javën e kaluar, e kam bërë shumë të qartë se Shtetet e Bashkuara duke punuar me partnerët evropianë duan të dalin nga punët e diplomacisë së krizave – ne, thjesht kalojmë nga një krizë në tjetrën – dhe të ecim përpara në dialogun që udhëhiqet dhe ndërmjetësohet nga BE’ja, drejt normalizimit që bazohet në njohje reciproke”, tha Chollet për Radio Evropa e Lirë.

Ky veprim, theksoi Chollet, nuk është në përputhje me marrëveshjen e nëntorit të arritur në Bruksel.

“Mendoj se hapat e 24 orëve të fundit, që ka shpallur Prishtina, nuk janë në përputhje as me letrën dhe as me frymën e marrëveshjeve të arritura në fund të nëntorit, të cilat kanë shmangur një krizë të mëparshme. Mendojmë se asnjëra palë nuk duhet të ndërmarrë veprime të njëanshme tani. Ne duhet të kemi një rrugë të koordinuar përpara në mënyrë që këto gjëra të mos i përshpejtojnë llojet e krizave që ne me të vërtetë duhet t’i shmangim.”

“Ky lloj njoftimi krijon një shpërqendrim dhe mund të çojë në një krizë që e bën të gjithë këtë përparim shumë më të vështirë.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat