Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, edhe njëherë ka kritikuar iniciatorët e kthimit të Fatmir Limajt në Partinë Demokratike të Kosovës.
Këtë iniciativë, Lladrovci e ka cilësuar si grackë e tyre gjoja për unitet brenda PDK’së, të cilën e cilësoi si të dëmshme.
“Gracka e disa trimave të rremë që ftojnë për gjoja unitet brenda Partisë Demokratike të Kosovës, është e dëmshme. Do pasur kujdes nga fjalët e mëdha të disa eksponentëve dhe të ish eksponentëve të partisë shtetformuese e shtetndërtuese”, shkroi Lladrovci në një postim në Instagram.
Tutje, Lladrovci tha se kjo është një përpjekje e disa heronjve të rremë për mashtrim të elektoratit.
“Ky mashtrim i elektoratit nga heronjtë e rremë, tashmë e kanë kryer procesin e përfitimeve dhe janë ulur këmbëkryq në fronin e Zeusit dhe mbajnë “ders” si kritikues të PDK-së, me synim të riciklimit dhe pastrimit të figurave të veta. Këto kritika, nxisin pyetjen: Pse nuk paska unitet? Ka unitet, por, jo çfarë e shohin heronjtë e rremë.”
Në fund, Lladrovci theksoi se PDK’në e konsideron si parti me një bagazh më të madh se çdo parti tjetër derisa tha se ajo “nuk mund të rritet nën hijen e heronjve të rremë!”