Kurti deklarohet pas inspektimit në terren me dy ministrat e tij, tregon si është gjendja pas vërshimeve

Aktuale

Kurti deklarohet pas inspektimit në terren me dy ministrat e tij, tregon si është gjendja pas vërshimeve

Më: 20 janar 2023 Në ora: 10:47
Kurti së bashku me dy ministrat e tij Armend Mehajn e Elbert Krasniqin kanë vizituar pjesëtarët e FSK pas vërshimeve të shkaktuara

Kryeministri i vendit, Albin Kurti së bashku me dy ministrat e tij Armend Mehajn e Elbert Krasniqin kanë vizituar pjesëtarët e FSK pas vërshimeve të shkaktuara.

Kurti ka njoftuar se është takuar edhe me kryetarin e Istogut, Ilir Ferati i cili i kishte njoftuar për gjendjen e rëndë dje e sot. Ai po ashtu shtoi se ka takuar disa familje që ishin strehuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare.

Ndërkohë ka bërë me dije se përveç dëmeve të konsiderueshme materiale nuk ka qytetarë të vdekur e as të lënduar.

Njoftimi i plotë:

Bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, vizituam rreth 20 pjesëtarë të FSK-së të cilët me kamion ushtarak dhe barkë lundruese, po e bëjnë të pamundurën që t’iu dalin në ndihmë banorëve të fshatit Drejë, në Istog. Aty, te “Ura në Drejë”, mbi lumin Kujavç, na priti kryetari i komunës Ilir Ferati i cili na njoftoi me gjendjen e vështirë dje dhe sot.

Më pas shkuam bashkë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ku vizituam dy familje të evakuara nga Zallqi: Arton dhe Luljeta Jahajn me katër fëmijë të vegjël, dhe, Avdi e Floreta Jahajn me dy fëmijë të vegjël. Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale nuk kemi qytetarë të vdekur e as të lënduar. Edhe Klina, Peja e Gjakova, sikurse edhe Mitrovica, Skenderaj e Podujeva kanë pësuar dëme.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku pati vërshime duke i ndihmuar e mbështetur ata.

Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i egër i zhavorrit, prerja ilegale e pyjeve ndër vite dhe mungesa e projekteve të pyllëzimit, sistemet jo adekuate të kanalizimit dhe ujëmbledhjes, si dhe ndryshimet klimatike globale i kanë lehtësuar, shpejtuar e shpeshtuar përmbytjet e vendbanimeve nga vërshimet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat