Avokati Arianit Koci ka ironizuar me numrin e madh të policëve në rrugën “Xhorxh Bush” në Prishtinë, në të cilën tashmë është kufizuar lëvizja e makinave.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se më shumë po sheh policë duke shqiptuar gjoba në këtë rrugë se në veri të vendit.
Sipas tij, policia duhet ta luaj edhe rolin e informuesit, jo vetëm të shqipton gjoba.
“Aktualisht, katër vetura janë duke u gjobitur përnjëherë në rrugën rishtazi të mbyllur në Prishtinê - Xhorxh Bush. Forcat policore po shtohen dita ditës. I numërova: pesë polic dhe dy vetura janë te “vendi i krimit”. Më shumë se në krejt veriun… 🙂. Përsëris, policia nuk ështe vetëm me gjobitë. E ka edhe rolin informues dhe parandalues. Si nuk po e kuptojnë, që kaq shumë kundërvatje në të njejtin vend, ditë me rradhë, është tregues që diçka nuk është në rregull me shenjëzim. Duhet patjetër të analizohet situata me ndihmën e inxhinierëve të komunikacionit”, ka shkruar Koci.