Analisti Gazmir Raci thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq i ka premtuar Angela Merkelit, kur kjo e fundit mbante postin e kancelares gjermane, se ai do të ishte personi i vetëm që do të mund ta njihte pavarësinë e Kosovës.
Raci u shpreh se Vuçiç ka bërë të kundërtën, duke sjellë destabilitet në Kosovë, por jo vetëm.
“Thuhet mes diplomatëve që, presidenti Vuçiç i ka premtuar kancelares Merkel, se ai është personi i vetëm që do të mund ta njihte pavarësinë e Kosovës. Ai ka vepruar në kundërshtim me atë çfarë ka thënë karshi kancelares Merkel, sepse tendencat e Serbisë këto vite, kanë qenë destabilizuese jo vetëm me Kosovën, por edhe me Bosnje dhe Hercegovinën. Kemi parë më herët edhe me Malin e Zi.
Kështu që, edhe presidenti Vuçiç le shumë për të dëshiruar nga ajo që jep si obligim ose si premtim karshi faktorit ndërkombëtar. Për shembull, kemi veprimet e fundit në Veri. Askush nuk priste që do të kishim barrikada, në momentin që Kosova bëri shtyrjen e targave, po ashtu bëri edhe shtyrjen e zgjedhjeve lokale. Këto janë veprime dhe lojëra që i bën”, theksoi ai.