Këshilli organizativ i protestës së ftuar nga fëmijët e dëshmorëve të UÇK-së në një konferencë për media kanë paralajmëruar se të hënën me 23 janar do të mbajnë një protestë në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, për shkak të përkujtimit të vdekjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq nga Albin Kurti.
Berat Rexhepi, organizatori i kësaj iniciative ka akuzuar kryeministrin e vendit, Albin Kurtin për fjalimin e tij ndaj Oliver Ivanoviqit.
Rexhepi tha se motoja e protestës do të jetë “Kryeministër, mos na shkel në gjak! Stop, devijimit të historisë”.
“Jemi dëshmitarë që përgjatë këtyre 23 viteve te pas luftës dhe 14 viteve pavarësi, në emër të popullit janë bërë dhe po behën veprime Dasha Keqe, deklarata të pamatura dhe veprime të rrezikshme nga përfaqësuesit tonë politikë. Në emër të popullit po ofendohet populli dhe sakrifica e tij për liri. Fjalimi i Kryeministrit te Kosovës dhe elozheja e tij për Oliver Ivanoviqin, i dënuar për krime ndaj popullsisë civile shqiptare, ishte një tronditje e radhës dhe një fyerje e rëndë publike për te gjithë ne”, tha Rexhepi
“Fjalimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe tentimi i tij për të amnistuar kriminelin e luftës, ideatori dhe organizatori i rojeve të urës, Oliver Ivanoviq, në fëmijët e dëshmorëve të UÇK-së, thërrasim protestë paqësore, me moton ‘Kryeministër mos na shkel në gjak, Stop devijimit të Historisë”, tha ndër tjerash ai.
Më pas në një interviste Tefik Sejdiu, i biri i martirit Ismet Sejdiu, tha se babai i tij u vra nga Oliver Ivanoviq.
‘’Me 14 prill të vitit 1999, Oliver Ivanovic i ka masakru 31 shqiptarë në rajonin e Mitrovicës, masakra më e madhe në rajonin e Mitrovicës. Mu ma ka vra babën, Ismet Sejdiun, mixhën Rexhep Sejdiun, djalin e mixhës Mustaf Rexhep Sejdiu’’, tha ai.