Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, e ka quajtur demagog kryeministrin Albin Kurti për qëndrimet rreth dialogut Kosovë-Serbi. Thotë se Kurti s’ka qëndrim të qartë as për planin franko-gjerman
Hoxhaj ka thënë se Kurti ka bërë përpjekje që t’i ikë dialogut duke u marrë me çështje teknike.
Ish-kryediplomati kosovar ka adresuar kritika edhe për njohjen e ndërsjellët me Serbinë. Thotë se Kurti s’po merret seriozisht me këtë çështje.
“Zotëri Kurti do duhej ta shihte shumë serioz planin franko-gjerman, dhe të luftojë me planin diplomatik e me çdo kusht që njohja e ndërsjellët të jetë e dokumentit që nënshkruhet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB të jetë kërkesë e jona”, ka thënë Hoxhaj.
Anëtarësimi i Kosovës në NATO, është i mundur sipas Hoxhajt. Ai thotë se partnerët ndërkombëtarë duhet të bëjnë më shumë presion ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën.
“Por edhe partnerët tanë duhet të jenë serioz me Kosovën. Nëse ata nuk mund të bëjnë presion të mjaftueshëm që Serbia ta njeh Kosovën, mendoj që partnerët tanë duke qenë shtete anëtare të NATO-s e të OKB-së, mund t’i ofrojnë Kosovës një rrugë të shpejtë dhe të përshpejtuar të anëtarësimit të saj në NATO”, ka thënë Hoxhaj për EO.
Ndërsa për vendimin për targa dhe për zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe, Hoxhaj thotë se Kurti ka rënë në grackën e Serbisë.
Ai konsideron se ky vendim është dashur të mënjanohet nga institucionet vendëse.
“Çfarë ka ndodhur vitin e kaluar dhe unë i kam thënë kryeministrit Kurti disa herë është që ai (Kurti) ka rënë në grackën e Serbisë. Kur partnerët tanë kanë kërkuar që të shtyhet vendimi për targa, ata kanë kërkuar që të mënjanohet situata e 5 nëntorit, e cila ka krijuar një vakum të plotë institucional në veri të vendit. Asnjëherë nuk ka qenë pikë më e ulët e pranisë shtetërore në këtë pjesë të Kosovës, të dorëzimi të sovranitetit të Kosovës, sikurse që e ka bërë Albin Kurti me gabimet gjatë vitit të kaluar”, u shpreh ai.