Emisari special amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, është pyetur lidhur me vendosmërinë e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, për të mos e zbatuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Escobar ka thënë se një person nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar.
“Një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar. Ky është fakt. Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit”, ka deklaruar Escobar.
Atij i ka reaguar aktivisti i shoqërisë civile Rron Gjinovci, përcjell Bota sot.
“Poget qe munet njeri se i ka 50.2%”, ka shkruar Gjinovci në një postim në Facebook.
Escobar ka theksuar se ndërkombëtarët presin që Kosova ta formojë Asociacionin.
“Ne do të fillojmë këtë muaj të flasim me njerëzit që kanë ide shumë të mira dhe ne në fakt flasim për madhësinë e klasave në shkolla, mbledhjen e mbeturinave, apo shërbimet e ndihmës mjekësore, asgjë frikësuese. Ne flasim se si ta bëjmë veriun e Kosovës më funksional dhe më të lidhur me qeverinë në Prishtinë. Ne do ta bëjmë këtë. Çështja është se në ç’pikë Kosova do ta ketë të qartë se bashkësia ndërkombëtare e pret që ta bëjë këtë, kërkon që ta bëjë këtë”, ka thënë Escobar për Zërin e Amerikës./BS