Antonio Tajani, zëvendës kryeministër i Italisë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të vendit gjegjës, në një intervistë për të përditshmen "Il Piccolo", ka folur në lidhje me raportet Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë se diplomacia italiane është duke operuar në bashkëpunim me partnerët e afërt, derisa këto vende të normalizojnë raportet e tyre.
“Jemi të angazhuar në vijë të parë gjersa Serbia dhe Kosova të mund t’i normalizojnë raportet e tyre. Përmes lehtësimit evropian të dialogut ka qenë e mundur paraqitja e një propozimi të marrëveshjes për të dy palët dhe diplomacia italiane është duke operuar, në bashkëpunim me partnerët e afërt, për të kërkuar që të arrijmë një rezultat të peshës historike, nga i cili do të përfitonte i gjithë rajoni,"- është shprehur ai.
Ndër të tjera, zv kryeministri italian ka shtuar se, nuk duhet të ketë vonesa të mëtejshme në zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit, duke e cilësuar hyrjen e këtyre vendeve në BE, jetike.
“Zgjerimi i Bashkimit Evropianit me vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka shkuar me ritmin e dëshiruar në këto njëzet vite. Vetëm Kroacia është bërë anëtare e BE-së. Nuk mund t’i mundësojmë vetes vonesa të mëtejme. Nëse BE synon të jetë faktor global, hyrja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është jetike dhe si proces duhet të përshpejtohet,”- ka thënë ai.