​Kryetari Glauk Konjufca takoi delegacione të shteteve anëtare të APKE-së

Aktuale

​Kryetari Glauk Konjufca takoi delegacione të shteteve anëtare të APKE-së

Më: 25 janar 2023 Në ora: 20:05
Glauk Konjufca

Gjatë ditës së dytë të vizitës zyrtare në Strasburg, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, zhvilloi takime me grupe politike dhe delagacione të shteteve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE).

Konjufca takoi Kryesuesin e Grupit Socialist, Demokrat dhe të Gjelbërit, Frank Schwabe, anëtarë të delegacionit gjerman dhe delegacionin parlamentar të Mbretërisë së Bashkuar, thuhet në njoftimin e Drejtorisë për informim në Kuvendin e Kosovës.

Po ashtu gjatë ditës, kreu i Kuvendit u prit në takime edhe nga Udhëheqësi i Grupit Konservativ Evropian dhe Aleancës Demokratike, Ian Liddell-Grainnger, Kryesuesi i Grupit të të Majtëve Evropianë të Bashkuar (UEL), George Katrougalos, si dhe i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Në këto takime u diskutua për zhvillimet aktuale në rajon e më gjerë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit.

Kryetari Glauk Konjufca ritheksoi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e anëtarësimit sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, por edhe në Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata tjera ndërkombëtare.

Mbrëmjen e sontme, në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Strasburg, do të organizohet pritje për Anëtarët e APKE-së dhe Përfaqësuesit e Përhershëm, përkatësisht Ambasadorët në Këshillin e Evropës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat