Ish-ambasadori: Lajçak ka qenë anti-Kosovë, lobimi i tij për njohje është tragjikokomedi

Aktuale

Ish-ambasadori: Lajçak ka qenë anti-Kosovë, lobimi i tij për njohje është tragjikokomedi

Më: 25 janar 2023 Në ora: 20:21
Miroslav Lajçak

Ish-ambasadori i Kosovës në Bullgari, Edon Cana thotë se emisari Miroslav Lajçak ka qenë njëri prej atyre që ka pasur dorë në dështimin e aplikimit të Kosovës në UNESCO.

Siç thotë ai, Lajçak ka qenë politikan anti-Republikës së Kosovës, dhe lobimi i tij për njohje nga shtetet jonjohëse, është “një tragjikokomedi që e ka vendosur Kosova veten”.

“Ne kemi aplikuar në UNESCO. Dhe ne kemi dështuar, për dy vota. Dhe njëri prej njerëzve që e ka dështuar aplikimin në UNESCO është vetë Lajçaku i cili ishte ministri i Punëve të Jashtme i Sllovakisë dhe i cili neve na ka premtuar votën, dhe ne nuk mund të aplikojmë tani më, sepse nuk mund ti të aplikosh sa herë ty të konvenon…unë e marr pak si ofenduese këtë punën e Lajçakut. Ai ishte politikan anti-Republikës së Kosovës, të lobojë për njohje nga shtetet jonjohëse, më duket sikur një tragjikokomedi që e ka vendosur Kosova veten”, deklaroi ai.

Në anën tjetër, Cana theksoi se Kosova e ka të suspenduar politikën e jashtme. Sipas tij, çdo aplikim në Bashkimin Evropian që nuk është i koordinuar, e dëmton shtetin.

Cana thotë se nuk mund të aplikosh në BE, nëse nuk e ke njohjen nga pesë shtetet.

“Ne nuk kemi ministër të Punëve të Jashtme. Nëse e shohim në të gjitha takimet e rëndësishme, prezenca e ministres së Jashtme, ose nuk është aty ose është vetëm protokollare…ne kemi aplikuar tani për anëtarësim në BE. Ne mund të aplikojmë, por çdo aplikim nëse nuk koordinohet e dëmton Kosovën. Nuk ka aplikim për statusin kandidat në BE, nëse ti nuk ke njohje nga pesë shtetet”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat