Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, e ka cilësuar si të qëlluar aksionin e aktivistëve të PDK-së, ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, të cilët i hodhën denarë serb të printuar.
Molliqaj tha se Berishaj nuk e përfaqëson Kosovën por vetëm kryeministrin e vendit, Albin Kurti, dhe grupin e tij.
“Aktivisti i arrestuar duhet të lirohet menjëherë. Kurse Martin Berishaj pas shkarkimit duhet të ndiqet penalisht”, ka shkruar Molliqaj.
Ai tha se pushteti i sotëm është arrogant e i rrezikshëm, ndërsa sipas tij, opozitën duhet ta bëjnë çdo ditë duke e rritur intensitein.
Kujtojmë se sot, gjatë Forumit Ekonomik Kosovë – Kroaci, aktivistë të Partisë Demokratike të Kosovës, i hodhën denarë serb të printuar ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Reagimi i policisë ishte i menjëhershëm, ku e arrestuan një nga aktivistët e kësaj partie.