Enis Osmani, këshilltari politik i Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, gjatë ditës së martë është dënuar me gjobë prej 1 mijë e 500 euro, pasi e pranoi fajësinë për falsifikimin e rezultateve të votimit në zgjedhjet e vitit 2017, në një qendër votimi në fshatin Bare të Komunës së Mitrovicës.
Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Faton Peci, nuk po e bind vendimi i Gjykatës Themelore dhe ai po kërkon ende informacione shtesë në lidhje me këshilltarin e tij.
“Meritokracia ka qenë dhe do të jetë sa të jem unë. E dyta është kjo një ngjarje që unë e kam kuptuar vonë, e vitit 2017, në të cilën unë jam duke i mbledhur edhe disa informacione të tjera edhe përtej vendimit të gjykatës”, ka deklaruar mbrëmë Peci.
Mirëpo, Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, në një përgjigje për Demokracia.com ka treguar në detaje se vepra të cilën e ka kryer këshilltari i Pecit është vepër penale dhe parashihet edhe dënim me burgim.
“Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka monitoruar dhe raportuar lidhur me këtë rast. Çka është me rëndësi në këtë rast është fakti se në bazë të Kodit Penal të Kosovës, vepra për të cilën është dënuar këshilltari është vepër penale që kryhet vetëm me dashje dhe për të njëjtën është paraparë dënim prej 1 deri 3 vite burgim”, ka thënë Miftaraj.
Miftaraj ia ka bërë të qartë ministrit Peci se nuk është autoritet të vlerësojë vendimet e shqiptuara nga gjykata.
“Për këtë vepër, i dënuari ka pranuar fajësinë. Me fjalë tjera sipas ligjit kjo vepër nuk mund të kryhet nga pakujdesia ose për shkak se zyrtari ka qenë nonshalant. Sikurse, sipas Kushtetutës dhe ligjit ndaj vendimeve në gjykatës së shkallës së parë është e lejuar ankesa në Gjykatë të Apelit dhe assesi nuk është autoritet Ministri Peci të hetojë, hulumtojë apo vlerësojë për një dënim të shqiptuar nga gjykata”.