Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka sulmuar opozitën pasi sipas tij, refuzuan propozimin e ministrit të Financave, për pagesën e tatimit në pronë.
Përmes një shkrimi në Facebook, ku ka shpërndarë një postim të ministrit Murati, Kryeziu ka thënë se brenga e opozitës për qytetarët është vetëm për të sulmuar qeverinë.
“Kur "brenga" e opozitës për qytetarët është vetëm sa për ta sulmuar qeverinë. Propozimi i ministrit Murati për tatimin në pronë u refuzua sot nga opozita.” – ka shkruar ai.
Ndërkohë, ministri Murati tha se ka propozuar që tatimpaguesëve, t’u falen deri në 100 euro nga vlera e tatimit në pronë për këtë vit.
Por siç shtoi ai, deputetët e opozitës ishin kundër një propozimi të tillë.
“Kjo dëshmon edhe njëherë që kur bëhet fjalë për interesat e qytetarëve, për opozitën, veprat dallojnë nga fjalët.” – ka shkruar ai.