Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, i ftuar në “Info Magazinë” në Klan Kosova, ka thënë se asociacioni nuk ëhstë pika kryesore e marrëveshjes.
Ai u shpreh se kjo është një ndër 33 marrëveshjet e nënshkruara gabimisht në vitin 2013.
“Nuk është asociacioni pika qëndrore e marrëveshjes, është një ndër 33 marrëveshjet e nënshkruara gabimisht në vitin 2013, prej 33 marrëveshjeve, vetëm kjo marrëveshje është hedhur poshtë, është gjetur si shkelje kushtetuese nga gjykata”, u shpreh ai.
Batusha ka thënë edhe se subjektet politike opozitare duhet të kenë qëndrime të qarta sa i përketë bisedimeve Kosovë-Serbi.
Ai u shpreh se duhet të ketë një unifikim sa i përketë qëndrimeve në raport me Serbinë.
“E rëndësishme për ne është që diskutimet që bëhen, ose konkluzionet që nxirren të bëhen të ditura edhe për organet e shtetit, pra për qeverinë në këtë rast dhe sidomos subjektet politike opozitare të kenë një qëndrim të qartë sa i përketë këtyre bisedimeve dhe çështjeve që diskutohen në këto bisedime, sepse duhet të kemi një unifikim sa i përketë qëndrimeve në raport me Serbinë”, tha ai.
Batusha tutje u shpreh se çdo debat që bëhet me Serbinë është që të kemi një marrëveshje, siç tha ai, gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare.
“Fjala është për një marrëvëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, prandaj deklarimet e subjekteve politike, qëndrimet sidomos të tyre duhet të jenë më të qarta. Qëllimi është për marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare. Prandaj, vullneti dhe pjesëmarrja e përfaqësuesve të institucioneve në çdo debat ose dialog që bëhet me Serbinë dhe me ndërmjetësuesit është që të kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare”, u shpreh ai.