Opinionistja Kimete Berisha ka ironizuar me situatën aktuale për asociacionin e komunave serbe duke hedhur një paralele me interesin e madh të shqiptarëve për formatin televiziv “Big Brother Vip” në Shqipëri dhe Kosovë.
Në një postim në Facebook, Berisha ka shkruar se shqiptarët më shumë po mërziten se a do të bashkohet Luizi me atë vajzën - se sa a bashkohen komunat serbe në Veri.
Për Kimete Berishën, nuk ka sot temë më bajate se sa Bashkësia e komunave me shumicë serbe.
“Për ta ilustruar me fakte thënien e lartpërmendur, shikoni Like-t e deputetëve të Vetëvendosjes në statuset e tyre për Bashkimin e komunave serbe dhe krahasoni ato Like me Like-t e lajmeve që flasin për ngjarjet dhe rrjedhën e dashurisë nëpër Big Brother!”, shkruan Berisha në Facebook.
Postimi i plotë:
Aman, fol për dashuri!
Shqiptarët më shumë po mërziten se a do të bashkohet Luizi me atë vajzën - se sa a bashkohen komunat serbe në Veri.
Populli nuk dyshon kurrë në dashurinë e Luizit, por çështja është se pse Luizi po has në rezistencën e vajzës, e cila hapur ka shprehur dyshime në vërtetësinë e dashurisë së tij ndaj saj, të cilën dashuri ai po ia shpreh me humor.
Shqiptarët nuk e kuptojnë se dashuria mund të jetë edhe humoristike - jo veç tragjike.
Pse duhen lotët për ta bërë serioze një dashuri!
Pse humori nuk merret seriozisht!
Pse nuk qeshim kur jemi të lumtur - por qajmë!
Prandaj, kurrë s'ka qenë koha më ideale se sa këtyre ditëve të realizonen tradhti të ndryshme politike (pa u hetuar), sepse vëmendja popullore komplet është e përqëndruar kah dashuria.
Nuk ka sot temë më bajate se sa Bashkësia e komunave me shumicë serbe. Edhe ashtu të bashkuar janë...!
Popullin e ka rrok derti se pse vajzat e Kosovës po dorëzohen para dashurisë më kollaj se vajzat e Shqipërisë.
Dhe, vajzat me të drejtë po pyesin - pse kur mashkulli i dorëzohet dashurisë nuk quhet dorëzim, por quhet gjueti, peshkim etj.
Femra: Kur duhet të dorëzohet në përqafimin e një mashkulli, pas sa kohëve, pas cilave deklarata dashurie dhe pse s'duhet të dorëzohet kurrë.
Këto misteret e dashurisë janë tema që e preokupojnë sot këtë popull, pa dallim moshe.
Për ta ilustruar me fakte thënien e lartpërmendur, shikoni Like-t e deputetëve të Vetëvendosjes në statuset e tyre për Bashkimin e komunave serbe dhe krahasoni ato Like me Like-t e lajmeve që flasin për ngjarjet dhe rrjedhën e dashurisë nëpër Big Brother!
Është jetike të sqarohet se pse Xhulieta u dorëzua aq lehtë para një djali (që si për inat të metaforës e ka emrin Atdhe).
Djali publikisht tha se nuk e dashuron Xhulietën, dhe ne e shohim se si ajo është në gjendje t'i jap 200 mijë euro për një djalë, i cili nuk e dashuron.
Është alogjike ta duash dikë që nuk të do!
Pse femra bëhet e marrë nga dashuria dhe e jep jetën për dashuri, dhe pse mashkulli nuk harron kurrë që e ka veç një jetë!
Dikush duhet t'u pērgjigjet këtyre pyetje.
Në Kosovë nuk ka Romeo që e lejon veten të digjet për një femër.
P.S. Për rrjedhën e dashurisë do të shkruaj në vazhdime..
Ju siguroj se kjo është hera e parë që shikoj Big Brother.
Por, meqenëse kam qenë e ftuar opinionistja e I-rë, më intereson ta kuptoj se çfarë kam humbur tjetër - përveç pareve.