Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se mbështet dhe inkurajon Qeverinë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë me njohjen reciproke në qendër.
Kështu u deklarua PDK-ja pas takimit në Ambasadën amerikane për çështjen e Asociacionit.
Sipas PDK-së, qëndrimet e tyre për dialogun janë të qarta, publike dhe konsistente.
“Partia Demokratike e Kosovës sot i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, për takim të përbashkët me përfaqësues të Qeverisë, partive politike dhe shoqërisë civile. PDK vlerëson lartë angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha fazat më të rëndësishme të vendit, nga çlirimi, pavarësia dhe shtetndërtimi. Qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me dialogun janë të qarta, publike dhe konsistente. Rrjedhmisht, PDK në vazhdimësi i ka dhënë mbështetjen e nevojshme dhe e ka inkurajuar Qeverinë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në njoftim.
Nga PDK-ja kanë thënë se do të japin gjithmonë kontributin kur është në pyetje interesi i shtetit dhe qytetarëve.
“Partia Demokratike e Kosovës do të jap gjithmonë kontributin e saj aktiv kur në pyetje është interesi i shtetit dhe i qytetarëve të Kosovës”, thuhet më tej në njoftim.
Sot është mbajtur takimi i thirrur nga Ambasada amerikane në Prishtinë, ku u diskutua për Asociacionin.
Pas këtij takimi, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier u është shprehur mirënjohës palëve të pranishme për pikëpamjet e tyre të treguara, teksa theksoi se duhet të zbatohen të gjitha angazhimet e dialogut.
Në këtë takim të pranishëm ishin ambasadori britanik, Nicholas Abbott si dhe shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Po ashtu morën pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Zyra e Kryeministrit u përfaqësua nga shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi. Zyra e Kryeparlamentarit nga shefi i stafit të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, Ilir Kërqeli. Ndërsa, nga Presidenca ishte Blerim Vela.