Edhe Sindikata e Zjarrfikësve janë shprehur të pakënaqur me vlerën e re të përcaktuar të koeficientit të pagave.
Muharrem Beka nga kjo Sindikatë thotë se zjarrfikësit kanë qenë ndër kategoritë më të diskriminuara për vite me radhë.
Ai theksoi se koeficienti aktual është më i ulëti, teksa bëri të ditur se kanë pritur që vlera të jetë minimumi 120 euro.
“Edhe zjarrfikësit, njësoj si kategoritë e tjera të punësuarve në Kosovë kanë të njëjtin shqetësim. Mund të them te zjarrfikësit pak më i theksuar sepse zjarrfikësit vite me radhë kanë qenë ndër kategoritë më të diskriminuara. Në vazhdimësi kemi kërkuar që pozita e zjarrfikësit të përmirësohet, jemi të diskriminuar me koeficient aktual, tash është më i ulëti”, tha ai.
Beka potencoi se kërkesë e tyre ka qenë që të jenë në nivel me Policinë e Kosovës.
Sipas vlerës së përcaktuar të koeficientit, komandanti i brigadës së zjarrfikësve do ta ketë pagën 735 euro, zjarrfikësi 525 euro, ndërsa zjarrfikësi praktikant 420 euro.