Sipas ish-ambasadorit të Kosovës në Bullgari, Edon Cana, të gjitha shtetet mbështetëse ndaj pavarësisë së Kosovës, duan që të vazhdohet tutje me planin franko-gjerman, prandaj thotë se fillimisht po kërkojnë të themelohet Asociacioni.
Madje sipas tij, zhvillimet e Asociacionit veçse kanë qenë të pritura.
“Zhvillimet e Asociacionit kanë qenë të pritshme duke u bazuar në deklaratat e mëhershme të përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe të Bashkimit Evropian. Pra, të gjithë këto shtete së bashku, që u themi ne sponsorizues të Kosovës dhe mbështetëse të pavarësisë së Kosovës, kanë vendosur që të gjitha marrëveshjet e Brukselit të implementohen, duke e përfshirë edhe Asociacionin, në mënyrë që të vazhdohet me planin franko-gjerman”, deklaroi Cana.
I pyetur se a sheh ndonjë rrezik nga themelimi i Asociacionit, Cana theksoi se nga kjo mund të defunksionalizohet kompetenca ekzekutive në aspektin e vendimmarrjes në nivel qendror të serbëve.
“Unë mendoj që në politikë ndonjëherë duhet të funksionosh me momentume që të përfitosh maksimumin e asaj që është në tavolinë”, shtoi tutje Cana.
Derisa përmendi edhe ftohjen e raporteve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Cana tha se nga kjo mund të krijohet një rrezik i paparë.
“Kjo ftohje e raporteve rrezikon një destabilizim ende më të rrezikshëm”, theksoi Cana.