Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e së enjtes në Kuvend ka treguar gjashtë kushtet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kushti i parë sipas tij është që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet që janë në fuqi.
Po ashtu, Kurti ka thënë se nuk mund të ketë Asociacion monoetnik.
“Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.
Nuk mund të jetë Asociacion monoetnik dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimin horizontal me komunat”, ka thënë ai.
Pikat që i tha Kurti janë si vijon:
1. Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv, duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas kushtetutës
3. Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
4. Para vendosjes së asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi I të gjitha armëve ilegale.
5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raport me Kosovën.
6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara në pesë shtetet e BE-se për mosaplikimin e Kosovës në BE.