Ish-deputeti i Vetëvendosjes dhe analisti Visar Ymeri ka thurur lavde për të parin e LDK’së, Lumir Abdixhiku, pas intervistës së këtij të fundit mbrëmë në emisionin Pressing.
Përmes një shkrimi në Facebook, Ymeri e vlerësoi Abdixhikun si jo populist, i matur dhe i vërtetë.
“Bashkë me debatin në Kuvend për dialogun, e plotësoi një pozicionim të qartë karshi dialogut dhe politikave të qeverisë në përgjithësi. Përballë paparashikueshmërisë dhe mungesës së maturisë që e kemi parë nga KM dhe Qeveria, qëndrimet e tilla racionale e të kujdesshme duken politika që po i mungojnë Republikës së Kosovës”, shkroi Ymeri.
Tutje, Ymeri tha se LDK po e thotë atë që e konsiderojnë si të vërtetë, edhe pse disa njerëz po e kërkojnë gënjeshtra nga ta.
Prapa këtyre lëvdatave për partinë e Abdixhikut, mbetet për tu parë se a fshihet aderimi i Ymerit në LDK apo nuk egziston diçka e tillë. Por, vlen të ceket se ish-bashkëpartiakja e tij nga Vetëvendosje, Shqipe Pantina është bërë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës rreth një muaj më parë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me 9 janar njoftoi që është shumë i kënaqur që një profesioniste është bërë pjesë e partisë së tij.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur për ardhjen e Shqipes në LDK. Ajo përveç se pasuron radhët tona politike, vazhdon ciklin e bashkëngjitjeve që anëtarë të jetës publike, politike, medias e shoqërisë civile po e bëjnë me LDK-në. Lidhja Demokratike e Kosovës sot është bërë adresa e vetme e profesionistëve të tillë” – ka shkruar Abdixhiku.