Kaqusha Jashari, në emisionin “Special One”, ka folur për angazhimet politike por edhe për disa detaje prej kur ka filluar të merret me te.
Ajo rrëfen për bisedat që i ka pasur me Sllobodan Millosheviqin dhe tri momentet më të rëndësishme në jetën e saj.
“Për fat të keq u bë një konflikt mes meje dhe Millosheviqit, se ai ka qenë kryetar i partisë në Serbi, unë në Kosovë, dhe kur shkova në organet e Serbisë u ballafaqova me të, mandej në nivelin e Jugosllavisë edhe ma zi, se politika e tij ndaj Kosovës ka qenë e tmerrshme, ka qenë pushtimi i Kosovës, me e marrë edhe autonominë e që nuk arriti. Unë ju tregoj se janë tre sene që kurrë s’i harroj: është një moment kur jam pranu në parti, e dyta konflikti me Millosheviqin, edhe e treta që pas luftës kom pas fat me hy në parlament si deputete edhe më ka ardhë mirë që më ka ra rasti me e nënshkru Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës edhe e kom ndie veten që është rrumbullakësu angazhimi im. Më ka pyet dikush – ‘Çka po mendon ti, a je e gëzume që ke nënshkru?’. Jo që jam e gëzume, por me më thonë dikush tashti dil se mo nuk je deputete kisha pranu se nënshkrimin e qita”, tha Jashari.
Ndër të tjera, Kaqusha Jashari tregon edhe një moment tjetër me rëndësi në jetën e saj, ajo me Presidentin Ibrahim Rugova.
“Presidenti Ibrahim Rugova gjithmonë e ka përmend që na jemi të hapur kah Shqipëria dhe duhet me bo rrugën Prishtinë-Kukës-Durrës. Pas luftës, kur jam kthy në Drejtori, na tham duhet me bo studimin e parë, arsyeshmërinë edhe teknike edhe ekonomike se Rugova mendon se këtë rrugë duhet me bo. Shkuam disa vetë të kryetari Rugova, – tha ‘boni, por daljen në Durrës jo në Shkodër’, se ka qenë iniciativa e atëhershme që rruga Prishtinë – Kukës po shkon në Shkodër, tha ‘kjo është iniciativa e dikujt tjetër na duhet me dal në det’. Por, tha ‘keni një obligim ndaj meje, që çarçafin e parë ma bini këtu në tavolinë’. E prunem e kqyri, ka qenë shumë i kënaqun edhe na e kompletum projektin dhe tash ai projekt është kjo rrugë që është tash, vetëm është një devijim kah Malisheva, u duhke me vazhdu knej kah Prishtina edhe ky devijim është gabim, por këto strukturat tona e kanë deviju”, u shpreh ajo.
Jashari tha se në jetë krenohet për tri gjëra: hyrjen në parti, nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe Rrugën e Kombit.