Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka shkruar se me vendim të Qeverisë, kontingjenti i Forcë së Sigurisë së Kosovës për operacione humanitare porsa u nis sonte për në Turqi, për të ju dalë në ndihmë institucioneve dhe popullit turk në rajonet e goditura nga tërmeti.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, u shprehi edhe njëherë ngushëllimet më të thella popullit turk dhe familjarëve të viktimave të tërmetit e të lënduarve shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar i pari i qeverisë së vendit.
Kurti po ashtu ka shkruar se vetëm tri ditë pas pritjes së ngrohtë nga Presidenti Erdoğan, në mëngjesin e sotëm u tronditëm nga lajmi për tërmetin shkatërruese në Turqi.
“Solidarizohemi dhe i qëndrojmë pranë popullit dhe shtetit turk në këto kohë të vështira. Shpresojmë dhe urojmë që kjo tragjedi të kalojë me sa më pak viktima”, ka shkruar kryeministri Kurti.