Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka ripërsëritur se Kosovës nuk i duhet një marrëveshje që nuk e përmban njohjen.
Përmes një komunikate për media nga kjo parti, gjithashtu thuhet se LDK-ja kërkon raportim të kryeministrit në Kuvendin e Kosovës mbi procesin e dialogut.
“Për LDK-në, Kosovës nuk i duhet një marrëveshje bazë që nuk përmban njohjen. Vendit tonë i duhet një marrëveshje përfundimtare që në thelb ka njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve – si shtete të pavarura e sovrane”.
“Çdo devijim nga ky orientim strategjik është përgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale. LDK, po ashtu, kërkon raportim të kryeministrit në Kuvendin e Kosovës mbi procesin e dialogut. Injorimi i institucionit të përfaqësuesve të popullit nuk i jep legjitimitet asnjë procesi jetik për vendin”, thuhet në komunikatë.