Kërkesat e mëdha për mjete financiare nga prindërit e tyre, bëjnë shpesh herë që të rinjtë të eskalojnë në veprime agresive të pakontrolluara.
E në shumë raste, ata nuk kursejnë as ofendimet e kërcënimet ndaj prindërve.
Një grua në Gjilan është detyruar që ta denoncojë në Polici djalin e saj 27-vjeçar, pasi që i njëjti sipas saj, ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj.
Mësohet se i dyshuari tash e një kohë kërkon nga nëna e tij që të marrë kredi në njërën nga bankat në vend dhe pas kundërshtimit nga 67-vjeçarja, i njëjti dyshohet se ka demoluar orenditë shtëpiake me thikë.
Bazuar në dëshminë e nënës dhënë organeve të hetuesisë, i biri e ka kërcënuar me jetë, duke i ngjallur asaj frikën dhe shqetësimin e madh se mund t’i ndodh ndonjë e keqe në rast se nuk merr masa preventive.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë arrestuar të dyshuarin dhe të njëjtit ia kanë sekuestruar thikën me të cilën dyshohet se kreu veprën.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i riu të dërgohet në mbajtje dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.