Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, vlerësoi se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të përfundojë shumë shpejt.
Madje sipas tij, Serbia do mundohet në çdo formë, ta vështirësojë jetën e qytetarëve në Kosovë.
“Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të përfundojë shumë shpejt fatkeqësisht. Jam i bindur që strategjitë janë të llojllojshme të cilat Serbia është duke i përdorur. Por, ajo kryesorja është pikërisht që qytetarëve të Kosovës t’u bëhet sa më e vështirë jeta këtu, që Kosova të mos ketë kapacitete intelektuale e njerëzore për të arritur në pikën ku shteti është ndërtuar dhe tani duhet të funksionojë”, deklaroi Abazi.
I pyetur se a ka ndryshuar kryeministri Albin Kurti, në raport me zhvillimet e fundit, Abazi tha se tani është e pamundur që për dy vitet e fundit të kultivohet ideja e dialogut me formatin që ka qenë.
“Qysh në fillim është dashur të caktohen kriteret dhe koordinatat e dialogut të ri, sepse ndodhën ndryshime në Kosovë, ndryshime të cilat erdhën edhe si rezultat i gabimeve të qeverive të kaluara dialog”, theksoi Abazi .
Njëherit, Abazi vlerësoi se Qeveria Kurti vazhdon të jetë në mjegull, pasi sipas tij, ajo nuk ka një vizion të qartë edhe në zhvillimin e kapaciteteve për energji.