Qeveria miraton marrëveshjet e Procesit të Berlinit
Qeveria e Kosovës ka miratuar tri projektligje që kanë të bëjnë me marrëveshjet në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ekzekutivi i dha dritë të gjelbër Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, po ashtu ratifikuan edhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.
Ndërkaq, miratuan edhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve të arsimit te lartë në Ballkanin Perëndimor.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ndau edhe mjete për pagesën e specializantëve me vetëfinancim gjatë vitit 2023.
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës do të ndriçohet me ngjyrat e flamurit turk
Kryeministri Albin Kurti në mbledhje të Qeverisë tha se ndërtesa e Qeverisë së Kosovës do të marrë ngjyrat e flamurit turk në shenjë nderimi për të gjitha viktimat që humbën jetën nga tërmeti.
“Qysh në mëngjes sot kam marrë iniciativë që ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndriçohet me pamjen dhe ngjyrat e flamurit të Republikës së Turqisë”.
Kurti tha se bashkë me ministrat Mehaj, Murati e Sveçla se do të flasin prapë dhe do të shohin se çka mund të bëjnë më shumë për t’i ndihmuar të prekurit e tërmetit.
“Do të diskutojmë se çka mund të bëjmë shtesë për të ndihmuar njerëzit që u goditën në një mënyrë kaq tragjike e fatale. Urojmë që shërimi i të plagosurve të jetë sa më i shpejtë dhe i plotë”.
Qeveria vendos t’i paguajë specializantët këtë vit, Vitia i shqetësuar për ikjen e mjekëve
Qeveria ka miratuar pagesën e specializantëve me vetëfinancim deri në fund të këtij viti.
Kryeministri Albin Kurti tha se 580 specializantë me vetëfinancim do të paguhen, në mënyrë që të përmirësohet situata në shëndetësi.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se “numri i kuadrove profesionale shëndetësore në vend është shumë i ulët krahasuar me vendet e rajonit”, duke përmendur ikjen e mjekëve.
Ai tha se në Kosovë ka “numër të vogël të mjekëve për kokë banori”.
Kësisoj, Vitia tha se “ngrihen shqetësime sa i përket qasjes në shërbimet shëndetësore të popullatës”.
“Prandaj Ministria e konsideron pagesën e specializantëve me vetëfinancim si çështje me prioritet për vendin”, tha ministri.
Fillon mbledhja e Qeverisë
Qeveria e ka nisur mbledhjen e sotme me një minutë heshtje në nderim të viktimave të tërmetit në Turqi dhe Siri.
“Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave të cilët humbën më të dashurit të tyre”, tha kryeministri Albin Kurti.
Kurti tha se Kosova është pranë Turqisë dhe e gatshme për mbështetje.
Mblidhet Qeveria e Kosovës
Kryeministri Albin Kurti i ka ftuar ministrat në një mbledhje të Qeverisë.
Mbledhja është caktuar të mbahet të orën 10:00, siç njoftoi Zyra e Kryeministrit.
Qeveria të hënën e mbajti mbledhjen e fundit, në formë elektronike, ku mori vendim për dërgimin e një kontigjenti të FSK-së për ndihmë humanitare në rajonet e prekura nga tërmeti në Turqi.
Ndërsa sot, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e ka shpallur ditë zie në Kosovë, në shenjë nderimi për mijëra viktimat e tërmetit në Turqi e Siri.