Deputeti në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi thotë se të gjitha partitë shqiptare në Luginë e mbështesin plotësisht vendosjen e reciprocitet ndaj shtetit serbe.
“Ne kemi mjaft përçarje në Luginë të Preshevës. Shembulli i Këshillit Nacional dëshmon qartë se deri ku shkon marrëzia atje. Por se ka një dakordim të plotë për reciprocitet, ka. Këtë së paku publikisht e thotë secili kryetar i secilës parti”, deklaroi ai.
Sa i përket Asociacionit, ai theksoi se cili do që të jetë modeli i tij, është përgjegjësi e Qeverisë.
“Ajo që është fakt se marrëveshja për Asociacionin është e 2013, Kosova e ka pranuar dhe këtu është çështja që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po insistojnë në diçka që ju vetëm keni nënshkruar. Cilido të jetë modeli i Asociacionit, është tash përgjegjësi e kësaj Qeverie që do të diskutohet. Por se Kosova ka nënshkru një marrëveshje që do të pranojë një Asociacion nuk është e kësaj Qeverie, është e mëhershme”, potencoi kryetari i Partisë për Veprim Demokratik.
Kamberi shtoi se Lugina e Preshevës është me rëndësi për të pasur stabilitet në Ballkanin Perëndimor.