Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është shprehur i hapur për të diskutuar në lidhje me dialogun me Serbinë, por sipas tij, janë vetëm dy mënyra për ta bërë këtë.
Ai tha se diskutimi për dialogun mund të bëhet ose në takim me liderët e partive për hollësitë, ose raportim në kuvend me dyer të mbyllura.
“Është e mundshme që të bëhet diskutim në kuvend enkas për këtë gjë, por në mënyrë që Kosova të jetë shumë më e mbrojtur, është më mirë që atë seancë të mos e thërras kryeministri, meqë mezi s’presin të na akuzojnë se ne i nxorëm hollësitë”.
“Procesi i dialogut duhet të jetë transparent, por njëkohësisht konfidencialiteti i bisedimeve të jetë aty. Nëse unë e thërras një seancë të kuvendit ku flasim për detajet e përmbajtjes, kjo është shumë rrezik për Kosovën”, është shprehur Kurti.
Tutje, ai tha se nëse diskutimi bëhet me dyer të mbyllura, ose e thërret opozita, sipas tij, është shumë më kollaj, teksa shtoi se takime me kryetarët e partive politike në vend, në zyrën e Kryeministrit mund të ketë në çdo kohë.