Eurodeputeti holandez: Edhe ky hap ka mbetur deri tek heqja e vizave për Kosovën

Aktuale

Eurodeputeti holandez: Edhe ky hap ka mbetur deri tek heqja e vizave për Kosovën

Më: 9 shkurt 2023 Në ora: 16:06
Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten ka thënë se procesi i liberalizimit të vizave për kosovarët është punë e kryer dhe do të ndodhë deri më 1 janar 2024.

Ai ka thënë se tashmë ka mbetur edhe një hap i vetëm, që teksti i marrëveshjes në mes të Parlamentit dhe Këshillit të përkthehet në të gjitha gjuhët e Bashkimit Evropian dhe që të dy institucionet t’a japin pëlqimin përfundimtar përmes votimit.

“Pasi teksti të përkthehet në të gjitha gjuhët e BE-së, si Këshilli ashtu edhe Parlamenti duhet të japin pëlqimin përfundimtar përmes votimit”, ka thënë Reuten.

Eurodeputeti thotë se në këtë stad ku është procesi i liberalizimit të vizave, qasja e prediencës suedeze s’ka shumë rëndësi derisa shton se ai vetë do të bëjë gjithçka që mundet për të shmangur vonesat e mëtejshme.

“Për këtë, qasja e Presidencës suedeze nuk është më shumë e rëndësishme. Nga ana jonë, ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të shmangur çdo vonesë të mëtejshme”, ka shtuar tutje Thijs Reuten.

Politikani holandez thotë se i vjen mirë që BE-ja më në fund po e mban premtinin e saj dhe se liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi sapo të aktivizohet sistemi ETIAS.

“Në dhjetor, Parlamenti Evropian dhe Këshilli arritën një marrëveshje për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ky ishte një moment historik i rëndësishëm në integrimin evropian të Kosovës, pas disa vitesh bllokimi nga disa vende anëtare të BE-së. Më vjen mirë që BE më në fund po e mban premtimin e saj. Regjimi pa viza do të hyjë në fuqi sapo të fillojë sistemi ETIAS dhe, nëse ky sistem vonohet, më së voni më 1 janar 2024”, ka thënë ai.

Eurodeputeti holandez i cili ka përgjegjësinë për të çuar përpara dosjen e Kosovës për liberalizimin ka thënë se tashmë kanë mbetur vetëm hapa procedural, pra që Këshilli dhe Parlamenti ta bëjën punë e tyre.

“Negociatat tashmë kanë përfunduar: ne kemi arritur tashmë një marrëveshje. Për momentin, është e rëndësishme që Këshilli dhe Parlamenti të bëjnë pjesën e tyre për të finalizuar procesin. Por këto janë hapa procedural, nuk ka diskutime politike të pazgjidhura”, ka përfunduar Reuten.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat