Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka akuzuar opozitën se kanë kërkuar nëpër takime me ambasadorë rrëzimin e kryeministrit Albin Kurti nga pushteti.
Bajqinovci nuk është kursyer me akuza të tjera ndaj opozitës, duke pretenduar se dëmi më i madh në dialog po shkaktohet nga ata.
“Mos e harroni, në këtë dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dëmi më të madh që po i shkaktohet Kosovës është nga opozita”, ka deklaruar Bajqinovci.
Ai shkoi edhe më tej, duke pretenduar se opozita nëpër takime në Ambasada ka kërkuar largimin e Kurtit në pushteti.
“Në takimet nëpër Ambasada, edhe në takime joformale e formale, opozita shkon thotë hiq Albin Kurtin, se ne i bëjmë të gjitha.” – tha ai.
Bajqinovci u pyet nga njëri prej panelistëve nëse mund ta vërtetojë këtë, dhe se “çfarë të keqe ka nëse është e vërtetë”.
“Takimet të përditshme i kanë. Ka të keqe këtu”, ka thënë ai.