​Haxhiu: Mon Balaj dhe Arben Xheladini u bënë sakrifikuesit e shtetësisë

Aktuale

​Haxhiu: Mon Balaj dhe Arben Xheladini u bënë sakrifikuesit e shtetësisë

Më: 10 shkurt 2023 Në ora: 09:32
Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kujtuar protestën e para 16 viteve ku u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini, të cilët sipas Haxhiut, u bënë sakrifikuesit e shtetësisë “që nuk dukej në horizont pa këta protagonistë”.

Haxhiu tha se e drejta për ushtrim paqësor të mendimit të lirë e qytetar, atë ditë u dhunua me shkopinj e plumba gome nga ana e policisë së UNMIK-ut, që për pasojë u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini.

“16 vite më parë sheshi u bë pikënisje e shtetit ndërsa protestuesit aktivistë Mon Balaj dhe Arben Xheladini u bënë sakrifikuesit e shtetësisë që nuk dukej në horizont pa këta protagonistë dhe qindra-mijëra qytetarë që mbushën rrugët atëkohë. E drejta për ushtrim paqësor të mendimit të lirë e qytetar u dhunua me shkopinj e plumba gome të UNMIK-ut, që për pasojë u dhanë fund tragjikisht jetëve të Monit dhe Arbenit. Rënia e tyre e ngriti edhe më shumë alarmin për korrigjim të padrejtësisë që po na bëhej me pakon e Ahtisaarit, e cila vetëm pastaj rezultoi me përmendjen e togfjalëshit "pavarësi e mbikëqyrur", ende pa u mbushur as 3 javë prej vrasjes së dy aktivistëve nga plumbat e policisë rumune”, ka shkruar Haxhiu.

Ministrja ka shkruar po ashtu se në vitin 2009 ishte hapur rasti për hetimin e vrasjes së Monit dhe Arbenit. Para 3 vitesh zyrtarisht si Ministre, u jam drejtuar autoriteteve rumune me shkresë për informacione lidhur me detajet procedurale dhe veprimet e ndërmarra pë vrasjen e aktivistëve protestues. Vitin e kaluar rastin e kam adresuar edhe te Sekretari i Kombeve të Bashkuara për të kërkuar informata lidhur me nivelin e zhvillimit të prcedurave dhe marrjen e përgjegjësisë nga policia rumune.

“Aktivistët po protestonin paqësisht atë ditë për ta mbrojtur vendin e tyre. Mbledhja e qytetarëve për protestë paqësore është e drejtë universale e garantuar edhe me konventa ndërkombëtare. Prandaj, për vrasjen e Monit dhe Arbenit, nuk do te rreshtim së kërkuari përgjegjësi. Lavdi jetës dhe veprës së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, emrave që përherë do të jenë të gdhendur në pllakën e Kosovës së pavarur! Ne po ecnim drejt atë ditë, ne do ecim drejt gjithmonë!”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat