Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i ka kujtuar aktivistët e VV-së, Arben Xheladini e Mon Balaj, në 16 vjetorin e vrasjes së tyre nga policia e UNMIK-ut, në protestën e organizuar nga tashmë partia në pushtet, raporton teve1.info.
Konjufca përmes një statusi në Facebook, ka shkruar se Arbeni e Moni ranë dëshmorë në mbrojtje të vlerave të lirisë, barazisë, demokracisë dhe për vetëvendosjen e Republikës.
“Sot është 16-vjetori i vrasjes së aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, nga policia rumune e UNMIK-ut.
Arbeni e Moni ranë dëshmorë në mbrojtje të vlerave të lirisë, barazisë, demokracisë dhe për vetëvendosjen e Republikës.
Vitet nuk e zbusin dhimbjen për këta pishtarë të guximit, idealizmit të virtytshëm dhe aktivizmit qytetar të pathyeshëm. As zemërimin e pafund për drejtësinë e munguar ndaj atyre që kryen aktin mizor dhe u arratisën nga vendi i krimit.
Vendosja e drejtësisë dhe dënimi i autorëve të krimit të 10 shkurtit 2007 mbetet kërkesë e jona parësore. Sepse, siç thuhet, kur padrejtësia qesh në tryezë, drejtësia qan pas porte.
Po. Ne po ecnim drejt atë ditë, ne do ecim drejt gjithmonë.
Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të demokracisë Arben Xheladini e Mon Balaj!”, ka shkruar Konjufca.